Lajmet e reja

Filipçe: Drejtori i ASK-së është emëruar në mënyrë të paligjshme

Me sjelljen e deputetëve të VMRO-DPMNE-së në seancën e djeshme të Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë për kundërzbulim dhe Agjencisë për siguri kombëtare, është e qartë se pushteti është në dijeni se Bojan Hristovski në mënyrë të kundërligjshme është emëruar drejtor i ASK-së. Kështu deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, duke komentuar debatin e djeshëm flagrant në Komisionin për mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë, që u ndërpre. Filipçe i ka bërë thirrje edhe Prokurorisë publike që të zbardhet ky rast dhe të hetohen kriteret sipas të cilave Hristovski është zgjedhur asistent në Fakultetin e Sigurisë.

“E para, është më se është e qartë se VMRO-DPMNE-ja është e vetëdijshme se kanë kryer krim, gjegjësisht kanë emëruar drejtor të Agjencisë për siguri kombëtare në mënyrë të kundërligjshme. Mirëpo, kjo nuk është diçka e re, politizimi i strukturave të sigurisë dhe partisë është diçka që e kemi parë në qeverisjen e kaluar të VMRO-DPMNE-së dhe këtu dua t’i them qartë kryeministrit se LSDM nuk do të lejojë rivendosjen e sistemit “Alo kryeshef” në strukturat e sigurisë dhe policisë”, tha Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.

Në atmosferë të tensionuar ka kaluar seanca e djeshme e Komisionit për mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë, ku deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë kërkuar që në rend dite të vihet kërkesa e tyre për vizitë në Agjencinë për kundërzbulim dhe Agjencinë për siguri kombëtare. Kryetari i Komisionit, Skender Rexhepi Zejdi, ka refuzuar ta vendos kërkesën në rend dite pasi as ai e as nënkryetari i komisionit ende nuk kanë certifikatë sigurie. Pas kësaj ka pasur debat verbal mes tij dhe deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

“Unë do të mbetem në qëndrimin se unë nuk do t’i propozoj këto pika.
-Por nuk mundeni kështu.
-Juve ju përket tani pjesa tjetër, kërkoni zëvendësim të kryetarit. Ky është problemi më i vogël.
-Ju duhet ta plotësoni rendin e ditës.
-Nuk duhet ta plotësoj sepse nuk është nën kompetencat e mia që ta kem përgjegjësinë dhe që të mund ta vëzhgoj punën e agjencive të tjera. Si do ta vëzhgoj punën e agjencive të tjera nëse nuk jam anëtar i ekipit që do të jetë atje”, tha Skender Rexhepi-Zejdi – kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AK dhe ASK-së.

Në këtë atmosferë nuk u diskutua fare për emërimin e Bojan Hristovskit në postin e drejtorit të ASK-së dhe as ai nuk u pyet nga opozita nëse ka përvojën e nevojshme të punës për të qenë në krye të këtij institucioni të sigurisë, por edhe për nëse certifikata TOEFL është e falsifikuar.