Maqedoni

Zbardhja e vrasjes më 2013 në Tetovë! Avokati dyshon për implikimin e më shumë personave për vrasjen e Mekës

Avokati Qenan Ramani, i autorizuar nga familja e të ndjerit Muhamed Asani-Meka, po punon për zbardhjen e vrasjes së këtij të fundit, e cila ndodhi më 12 tetor 2013. Ramani dyshon se më shumë se tre persona mund të jenë implikuar në këtë ngjarje tragjike.

“Në këtë vepër penale, sipas rrethanave, ka indikacione se janë të përfshirë më shumë se tre persona dhe hy në grupin e vrasjeve të njohura në të drejtën penale, vrasje tinzare, gjegjësisht, personi, faktikisht tash i ndjeri Muhamedi, është thirrur apo është besuar nga një person tjetër dhe në këso raste janë vrasje, kualifikohen si vrasje tinzare dhe vrasje mirë të paramenduara, ku dyshojmë se mund të ketë të përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët kanë marrë, apo kanë qenë të punësuar në organet shtetërore”, theksoi Ramani.

I pyetur nëse personat e dyshuar për vrasje kanë pasur lidhje me të ndjerin Meka, Ramani u përgjigj:

“Sipas informacioneve të familjes së të ndjerit, tash i ndjeri ka pasur raporte të ndryshme me njërin nga ato të përfshirë në vrasje, që është kryer para 11 vjete në këtë vend”, shtoi Ramani.

Ndërkohë, policia ka arrestuar një të dyshuar për këtë vrasje që ndodhi para 11 vjetësh dhe Gjykata Penale në Tetovë sot ka shqiptuar masën e paraburgimit për të dyshuarin, një 41-vjeçar me iniciale Sh.Sh. nga fshati Poroj.

Nga mediat në vitin 2013 ishte raportuar kështu për vrasjen e tij;Policia, gjatë një patrullimi të zakonshëm në autostradën Tetovë-Gostivar ndërmjet fshatit Zherovjan dhe Pirok, ka vërejtur një trup të pajetë, të mbuluar tërësisht me gjak, që shtrihej pranë një veture të ndaluar por të ndezur. Trupi ishte në pozicion të shtrirë në shpinë, ndërsa në pjesën e sipërme të trupit dhe në kokë kishte plagë të shkaktuar me armë zjarri.

Gjatë inspektimit u gjetën dy gëzhoja të zbrazëta nga një pushkë automatike me kalibër 7.62 milimetra, të cilat u morën për ekspertizë së bashku me gjurmët e gjakut dhe gjurmë të tjera. /tvklan.mk