Opinion

Si zgjidhet Presidenti i SHBA-ve?

Shkruan: Nefail Emini

Më 5 nëntor, qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta zgjedhin presidentin e tyre të ri, që do ti udhëheqë në katër vitet e ardhëshme. Për dallim nga sistemet tjera elektorale, ai i SHBA-ve është disi më i komplikuar dhe jo pak herë ka shkaktuar konfuzion. “Kur shkoni të votoni për President, nuk votoni për President”, thotë William Field, profesor i shkencave politike në Universitetin Rutgers. Pra presidenti i SHBA-ve dhe Zëvendëspresidenti nuk zgjidhen direkt prej votuesve, por ato zgjidhen përmes Procesit të Kolegjit Zgjedhor.

Rastet kur një kandidat ka fituar votën popullore, por ka humbur presidencën

Zgjedhjet e para Presidenciale në SHBA janë zhvilluar në vitin 1789, ku të drejtë vote kanë pasur vetëm 6% e popullatës dhe kanë marrë pjesë 13 shtete, nga të cilët Xhorxh Uashingtoni u zgjdhodh president. Ajo që është interesante është fakti se jo çdo herë kandidati i cili merr më shumë vota zgjidhet edhe President i SHBA-ve, pasi ka raste kur kundërkandidati ka marrë më pak vota por ka marrë ulësen e presidentit. Rast i tillë i vonshëm është ai i zgjedhjeve të vitit 2000 kur Alber Gore mori mbi gjysmë milioni vota më shumë se kundërkandidati Republikan George W. Bush, por që ky i fundit u zgjodh për president pasi mori 271 elektor kundrejt 266 të kundërkandidatit. Të njejtin fat kishin edhe zgjedhjet e vitit 2016, kur Hillary Clinton kandidatja Demokrate mori mbi 2.5 milion vota më shumë se sa kundërkandidati i saj Republikani Donald Trump, por ky i fundit u zgjodh president duke marrë 304 elektrorë kundrejt 227 të Clinton. E njejta gjë ka ndodhur tre herë gjatë zgjedhjeve presidenciale në shekullin XIX.

Si funksionon Kolegji Zgjedhor?

Kolegji elektoral është themeluar nga Neni II, Seksioni 1, pika 2 e Kushtetutës së SHBA-së, i cili është institucion përmes të cilit zgjidhet presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kolegji përbëhet nga gjithësej 538 elektor të cilët ndahen mes shteteve në bazë të numrit të banorëve që ata kanë. Elektorët zakonishtë janë anëtarë të lartë apo anëtarë të zgjedhur të partive përkatëse. Çdo shtet ka minumumi tre elektorë, si Alaska, Delaware, Dakota e Veriut, Dakota e Jugut, Vermont dhe Wyoming, kurse numrin më të madh e ka Kalifornia me gjithësej 54 elektor i ndjekur nga Teksasi me 40 dhe Florida me 30. Për tu zgjedhur president, nga gjithësej 538 elektorë, kandidati fitues duhet që ti ketë të paktën 270. Ajo që vlen të theksohet është fakti se këtu funksionon sistemi “Fituesi i Merr të Gjitha”, pra nesë njëri nga kandidatët i fiton 50.1 % të votave si përshembull në Kaliforni, ai i merr të gjitha 54 elektorë, ndërsa humbësi nuk merr asgjë, me përjashtim të Maine dhe Nebraskës të cilët kanë sistem proporcional. Në rast se asnjëri nga kandidatët nuk arrin që të marr 270 elektorët e nevojshëm për të fituar ose nëse kemi një barazim, atëherë Dhoma e Përfaqësuesve zgjedh presidentin e ri të SHBA-ve. Kjo ka ndodhur vetëm dy herë deri më tani, edhe atë në zgjedhjet presidenciale të vitit 1800 kur Dhoma e Përfaqësuesve zgjodhi Thomas Jefferson dhe zgjedhjet presidenciale të 1824 kur Dhoma zgjodhi John Quincy Adams si president. Elektorët mblidhen në kryeqytetet e shteteve të tyre dhe hedhin votat e tyre për president dhe nënpresident më 17 dhjetor, dhe Kongresi numëron votat dhe çertifikon fituesin më 6 janar.