Ganiu: Tranzicion digjital i shërbimeve publike lokale, do të përmirësojë cilësinë e jetës për qytetarët
Në rolin e kryetarit të komunës dhe nënkryetar i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), kryetari i Çairit, Visar Ganiu, sot mori pjesë në Komitetin e 23-të të Përbashkët Konsultativ të Komitetit të Rajoneve (CoR) – Maqedonisë së Veriut, të organizuar nga BNJVL-ja dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
“Gjatë diskutimeve, u theksuan disa çështje të rëndësishme, duke përfshirë zhvillimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe rolin që autoritetet lokale dhe rajonale mund të luajnë në këtë rrugëtim. U përqendruam veçanërisht në tranzicionin digjital të shërbimeve publike lokale, që synon të përmirësojë cilësinë e jetës për qytetarët tanë dhe të sjellë shërbime më të efektshme dhe të arritshme për komunitetet tona”, theksoi Ganiu.
Ky takim shërbeu si një platformë për të ndarë praktikat më të mira dhe për të forcuar bashkëpunimin me partnerët evropianë në zhvillimin e shërbimeve inovative dhe transformuese që do të kontribuojnë në progresin dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian./Lideri