Shqipëri

Opozita proteston sot në të gjithë Shqipërinë, deputetët prijnë protestuesit në 6 segmente kryesore

Opozita do të protestojë sërish sot në një protestë kombëtare, ose e cilësuar mosbindje civile.

Opozita ka paralajmëruar bllokimin e gjashtë segmenteve kryesore të lëvizjes së automjeteve në Shqipëri si pjesë e strategjisë së saj dhe do të jenë deputetët e PD-së që do të shpërndahen në 6 akse kryesore duke bllokuar qarkullimin për tre orë.

Çdo segment do të ketë në krye degët e PD në rrethe si dhe deputetët e qarkut.

Ndarja e deputetëve

Sheshi Shqiponja, ku do të jenë të pranishme degët e Tiranës dhe qarkut Dibër që do të bllokojnë hyrje-daljet në këtë rrugë dhe lëvizjen e automjeteve. Deputetët që do të jenë në këtë pikë janë Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Petrit Doda, Asllan Dogjani, Helidon Bushati, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi dhe aleatët të cilët do të jenë bashkë me qytetarët.

Pika e dytë do të jetë rrethrrotullimi Milot, ku do të vendosen deputetët e qarkut Kukës, Shkodër dhe Lezhë, përkatësisht deputetët Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Lika, Greda Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli.

Tek rrethrrotullimi Shkozet, do të jenë degët e qarkut Durrës, Fushë-Kruja, Kruja, Shijaku.

Në rrethrrotullimin e Bradasheshit do të jenë degët e qarkut Korçë, Elbasan me deputetët Lefter Gështenja, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Sorina Koti, Tomor Alizoti.

Në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, degët Kavajë, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Divjakë me Ilda Dhori, Dashnor Sula, Bledjon Nallbati;

Në rrethrrotullimin Levan, degët e Fierit, Gjirokastrës, Vlorë, Berat, Luan Baçi, Kasem Mahmutaj, Tritan Shehu, Bujar Leskaj”.

Deputetët e tjerë Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku Ina Zhupa, Zheni Gjergji dhe Saimir Korreshi do t’i bashkohen tubimit te sheshi Shqiponja në orën 18:00, pas përfundimit të takimit të MSA-së.

Afati i bllokimit po kështu mësohet të jetë 3 orë, nga ora 17:00-20:00.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha dje se protesta është etapa tjetër drejt fitores.

Në fjalën në tubimin pranë banesës së tij, Berisha tha se “nuk ka forcë në botë që të në mposhtë ne në misionin tonë për rikthimin e votës së lirë, me qeveri teknike për zgjedhje të lira, për ndryshimin e pushtetit, për rikthimin në Shqipëri të lirive, të drejtave, dinjitetit të qytetarëve shqiptarë”.

“Për rikthimin në Shqipëri të një drejtësie që qëndron në ligj dhe kushtetutë dhe jo si organizatë kriminale e marrë peng nga Edi Rama. Me betejën tonë ne duam dhe do arrijmë të kthejmë Shqipërinë në rrugën e integrimit, shpresës dhe rrugën e zhvillimit. Çdo demokrat duhet të bëjnë gjithçka për t’i nxjerrë jetën këtij regjimi të pashpirt, për t’i marrë frymën, për t’i shkurtuar ditët dhe për të ecur të sigurt drejt fitores”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se “bllokimi i rrugëve, protesta, mosbindja civile e opozitës është kushtrimi i çdo qytetari”.