A do ta parandalojë nafta lufën Iran-Izrael?
Shkruan: Nefail Emini
Sulmet e ndërsjellta mes Iranit dhe Izraelit, kanë rritur tensionet në Lindjen e Mesme, por duket se dy palët po përmbahen nga goditjet ndaj pikave kritike, e cila domosdoshmërisht do ta detyronte njërën apo palën tjetër që të reagonte më fuqishëm. Sulmi i fundit me raketa nga Irani ndaj Izraelit ka bërë që ky i fundit të kërcënojë me sulme të dhimbshme, të cilët i realizoi pak orë më parë ndaj tre bazave ushtarake. Izraeli po shqyrtonte opsionet për goditje ushtarake ndaj industrisë iraniane të naftës, pasi kjo përbën një nga pikat më të ndjeshme për Iranin dhe do të kishte pasoja të fuqishme për të. Disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë paralajmëruar Izraelin që të rimendojë objektivat që do të godasë dhe të shmangë industrinë e naftës. Çdo sulm ndaj industrisë iraniane të naftës do të jetë goditje e fuqishme për Teheranin, pasi nafta zë 40% të totalit të saj të eksporteve duke siguruar 35.8 miliard dollarë të ardhura në vitin e fundit. Edhe përkundër se kjo do ta paralizonte Iranin, një sulm i tillë nuk ndodhi dhe nuk pritet që të ndodh në të ardhmen. Irani ka arritur që në mënyrë përfekte ta përdor naftës si instrument presioni dhe ndikimi, e cila në një masë po përcakton edhe politikat e jashtme të fuqive të mëdha drejt saj apo edhe zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Nafta shumë herë ka shërbyer si “Casus belli” për luftë në rajon, por tani duket se ajo do të shërbej për ta shmangur të njejtën.
Pse është kaq e rëndësishme industria iraniane e naftës?
Nafta revolucionarizoi industrinë dhe mori një rëndësi shumë të madhe gjeopolitike, duke i vendosur shtetet përballë njëra-tjetrës se cili shtet apo aleancë do ta posedonin apo kontrollonin të njëjtën. Rajoni i Lindjes së Mesme përbën rezervën më të madhe naftëmajtëse në botë, duke mbajtur mbi 48% të totalit të naftës dhe rreth 40% të gazit natyror të planetit. Nafta u zbulua për herë të parë në rajonin e Lindjes së Mesme në Iran në vitin 1908, ndërsa prodhimi i saj filloi në vitin 1911 nën kompaninë Anglo-Persiane.
Rëndësia e Iranit në tregun energjetik dhe ekonominë globale lidhet me rezervat e saj të burimeve energjetike, ku Teherani disponon 208 miliard fuçi (1 fuçi ka 159 litra naftë), që përbën 16.8% të rezervave globale, duke zënë vendin e tretë në botë pas Venezuelës dhe Arabisë Saudite. Sa i përket prodhimit, Teherani prodhon 3.99 milion fuçi në ditë, që përfaqëson rreth 4% të totalit botëror të naftës. Kjo sasi është e konsiderueshme, sidomos duke marrë parasysh sanksionet që janë vendosur ndaj Iranit, duke treguar për impaktin e saj në tregjet energjetike globale. Përveç naftës, Irani ka një rezervë të madhe të gazit natyror, e cila vlerësohet në 1.183 trilion metra kub, ose 17% të totalit global, dhe renditet menjëherë pas Rusisë për nga rezerva. Kina është vendi kryesorë importues i naftës iraniane me rreth 80 % të saj, por edhe vendet tjera importojnë sasi të konsiderueshmë, dhe çdo sulm në këtë industri, do të përkthehej edhe si sulm indirekt edhe ndaj këtyre shteteve që janë të varur nga burimet energjetike të Teheranit dhe në të njëjtën kohë do të trondiste tregjet energjetike botërore.
Ngushtica e Hormuzit: arterie vitale për transportin energjetik global
Përveç faktit që Irani është një superfuqi energjetike, ai ka edhe një rëndësi gjeografike të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Irani ndodhet në një pozicion strategjik, që shërben si pikë tranziti mes Lindjes së Mesme, Kaukazit, Azisë Qendrore dhe Gjirit Persik. Duke qenë një shtet me një shtrirje të tillë, Teherani kufizohet me një nga rrugëkalimet ujore më të rëndësishme në botë, atë të Hormuzit. Në situata tensioni mes SHBA-ve dhe Iranit, kjo e fundit ka kërcënuar se do të bllokojë këtë ngushticë.
Por pse është kaq e rëndësishme kjo ngushticë? Pjesa më e madhe e naftës që prodhohet jo vetëm në Iran, por edhe në Arabinë Saudite, Katar, Kuvajt, Irak, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman, transportohet përmes kësaj ngushtice. Çdo ditë përmes saj kalojnë rreth 17 milion fuçi nafte, që është ekuivalent me 20 deri në 30% të konsumit total botëror. Në të njëjtën kohë, përmes saj kalojnë rreth një e tretë e gazit natyror global. Të gjitha këto tregojnë rëndësinë e jashtëzakonshme gjeopolitike dhe gjeoekonomike që luan kjo ngushticë në tregun energjetik global. Në rast të një lufte, kjo ngushticë do të mbyllej menjëherë, duke lënë shumë shtete pa këtë burim energjetik, që është gjaku i industrisë moderne. Në një situatë të tillë, shumë vende të varfëra për naftë do ta humbnin logjikën, duke rritur tensionet ndërkombëtare që mund të çonin në një luftë botërore.