ASH-AAA: BE nuk pranon në familje të vet Qeveri të kriminalizuar
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka reaguar ashpër ndaj dështimit të rradhës në procesin integrues, duke thënë se çdo gjë paska qenë gënjeshtër që nga viti 2018.
Ja reagimi i plotë Koalicionit ASH-AAA:
Të dashur qytetarë, të dashur përfaqësues të mediave,
Dje ishim dëshmitarë të dështimit të radhës në procesin integrues. Nuk ka datë për bisedime me Bashkimin Evropian dhe që nga viti 2018 çdo gjë paska qenë gënjeshtër. Fotografitë në aeroplan, shpenzimet e shëtitjeve të kryeministrit e ministrave të Qeverisë do të mbeten vetëm një dëshmi e mashtrimit të këtij pushteti dhe shpenzime që do të duhet t’i paguajnë qytetarër e vendit. Çfarë duhet të ndodh më shumë se kaq që ministri jeshil i punëve të jashtme, Bujar Osmani, të pranojë se është i dështuar, çfarë duhet të ndodhë më shumë që kjo Qeveri të dorëhiqet dhe t’i rikthehet rivlerësimit nga sovrani.
Do të arsyetohen me Bullgarinë, por të gjithë ne e dimë se Bashkimi Evropian nuk pranon në familjen e vet, politikanë e qeveri të korruptuara e të kriminalizuara. Së fundmi vlerësimet e këtilla erdhën edhe nga Uashingtoni përmes dekretit të presidentit Biden.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, e ka thënë shumë kohë më parë se kjo Qeveri as vendin nuk mund ta çojë në Evropë dhe as Evropën nuk mund ta sjellë këtu.