Mexhiti: Do t’i mbështesim të rinjtë, që të zhvillojnë bizneset e tyre!
Duke pasur prioritet kryesor të rinjtë, në kuadër të këtoj angazhimi, sot prita në takim një delegacion investitorësh nga Norvegjia, të kryesuar nga Steinar Hoel Korsmo, themeluesi dhe drejtuesi i Organizatës Globale për Mbështetjen e Sipërmarrjeve – SEED.
Gjatë takimit, ku morën pjesë edhe sipërmarrësit Islam Poliku dhe Isamet Bakiu, diskutuam për mundësinë e tërheqjes së investitorëve nga kjo organizatë në tregun e Maqedonisë së Veriut. Ky rrjet zhvillon programe në mbi 50 vende të botës, duke mbështetur financiarisht të rinjtë që hapin biznese të reja dhe duke ndihmuar bizneset ekzistuese të zgjerohen.
Zoti Korsmo më njoftoi se SEED, që nga viti 2002, ka realizuar mbi 130 projekte donatorësh në Rajonin Nordik dhe Baltik, Evropën Qendrore dhe Lindore, Ballkanin Perëndimor, Kinë, Azinë Juglindore, Afrikën Lindore dhe Amerikën Latine. Ai theksoi qëllimin e përfshirjes së kompanive nga Maqedonia e Veriut në Programin Global të Forumit SEED.
E falënderova për këtë nismë të shkëlqyer dhe ritheksova përkushtimin e Qeverisë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zbatimin e praktikave më të mira në tregun tonë. Hapja e një qendre në Shkup do të ndihmonte sipërmarrjet e reja dhe do të krijonte mundësi për bashkëpunim dhe investime ndërkombëtare.