Fillon sezoni i ngrohjes në Shkup, në sistem janë të kyçur 63.000 konsumatorë
Prej sot fillon sezoni i ngrohjes për konsumatorët e kyçur në sistemin e ngrohjes qendrore në qytetin e Shkupit që do të zgjasë deri më 15 prill 2025, me mundësi të vazhdimit për edhe 15 ditë varësisht nga temperaturat e jashtme.
Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) thonë se gjatë sezonit të ngrohjes furnizuesi është i detyruar të sigurojë ngrohje prej orës 6:00 deri në orën 22:00. Megjithatë, në fillim të sezonit të ngrohjes nëse ka temperatura të jashtme të larta të ditës, dërgesa e energjisë së ngrohjes do të ndërpritet, ndërsa nëse temperaturat bien nën 15 gradë Celsius, dërgesa do të vazhdojë.
“Konsumatorët dhe bashkësitë e pronarëve luten që sa më shpejtë të eliminojnë defektet e instalimeve të brendshme të ngrohjes dhe të sigurojnë qasje të papenguar në termocentralet, si dhe furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike. Kjo përfshin pagesën e faturave të energjisë elektrike për stacionet termike dhe mirëmbajtjen e një instalimi elektrik funksional. Konsumatorët mund të kontrollojnë nëse objekti i tyre është në listën e objekteve aktualisht të mbyllura që nuk kanë kushte për furnizimin e energjisë termike. Kjo listë mund të gjendet në linkun Objektet e mbyllura – Furnizimi ESM (https://esm-snabduvanje.mk/?page_id=1348)”, theksuan dje SHA EMV.
Për informacione, raportime të defekteve ose njoftime për intervenime të përfunduara, siç thanë, konsumatorët mund të paraqiten në Qendrën për kujdes të konsumatorëve në numrat e telefonit 02 3076 200 dhe 075 400 100.