BallinaMaqedoni

Arsimtarët do t’i marin rrogat e tetorit 1.500 deri 2.000 denarë më të larta

Të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm do të marrin rroga për 5% më të larta duke filluar nga paga e muajit tetor. Sindikata e Arsimit dhe Shkencës arriti sot marrëveshje me qeverinë e cila, siç thonë ata, do të garantojë rritje konstante të rrogave në këtë sektor në katër vitet e ardhshme.

“Kënaqësia është edhe më e madhe meqë u dakorduam për rritje të vazhdueshme të pagave në arsimin fillor dhe të mesëm në periudhë prej katër vitesh ku sipas matematikave tona të përbashkëta, më në fund, të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm, gjegjësisht bartësit e veprimtarive, arsimtarët dhe profesorët, do të kenë rrogë në nivel të rrogës mesatare ose mbi rrogën mesatare”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Pas rritjes së tetorit prej 5%, të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm do të kenë rritje prej 7% në mars të vitit të ardhshëm, rritje prej 7.5 deri 10% në mars të vitit 2026, rritje prej 7.5 deri 10% në mars të vitit 2027 dhe rritje prej 10 deri 12.5% në mars të vitit 2028.

Rritja e planifikuar e pagave në arsim
Në tetor 2024, rritje prej 5%
Në mars 2025, rritje prej 7%
Në mars 2026, rritje prej 7.5-10%
Në mars 2027, rritje prej 7.5-10%
Në mars 2028, rritje prej 10-12.5%

Marrëveshja është zgjidhje afatgjate që të mos ketë nevojë për greva dhe protesta secilin vit, thotë kryeministri Mickoski.

“Në mars të 2028, arsimtarët dhe profesorët në arsimin fillor dhe të mesëm duhet të marrin rrogë të paktën 46% më të lartë nga ajo që marrin sot. Mundet edhe më shumë, varësisht se si do të lëvizë përqindja e cila varet nga mbushja e buxhetit. Gjithashtu u morëm vesh që deri në shkurt, marrëveshja kolektive të nënshkruhet dhe të kemi një bazë se si do të veprojmë më tej”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Marrëveshja erdhi disa javë pasi SASHK kërkoi me këmbëngulje takim me qeverinë e Mickoskit për të arritur marrëveshje të re për pagat në arsim.

Përllogaritja që ka bë redaksia e rubrikës së ekonomisë në Agjencinë e Lajmeve Zhurnal tregon se me këtë marrëveshje rrogat e arsimtarëve do të rriten për 1.500 deri 2.000 denarë.