BallinaMaqedoni

Zv/kryeministri Fetai në UNT bashkë me profesorin e tij nga Brukseli, De Waele

Kënaqësi e jashtëzakonshme të kthehesha në bankat e universitetit si pjesëmarrës në një ligjeratë për studentët e shkencave politike të Universitetit Nënë Tereza në Shkup, bashkë me një mysafir special, profesorin tim nga Universiteti i Lirë i Brukselit, Jean-Michel De Waele.

Profesori De Waele, si ekspert i shquar në fushën e shkencave politike, me përvojë të gjerë në studimet mbi politikat ndërkombëtare dhe evropiane diskutoi për shumë çështje relevante në vend dhe në Ballkanin Perëndimor, ndër tjera për forcimin e shtetit të së drejtës, rëndësinë e integrimit në BE, kontekstin gjeopolitik të zgjerimit të BE-së dhe mësimet nga rrethet paraprake të zgjerimit.

Në paraqitjen time para studentëve, fola për gjendjen e procesit të zgjerimit të BE-së, detyrat tona si shtet e si qeveri dhe ndërlidhjen e domosdoshme të këtij procesi me atë të rikthimit të shtetit të së drejtës, luftimin e korrupsionin dhe mirëqeverisjen. U bëra thirrje studentëve dhe akademikëve që të bëhen pjesë aktive e kësaj përpjekjeje, duke kërkuar llogari nga qeveria dhe duke bërë presion mbi neve si politikanë për realizimin e shpejtë të aspiratave të tyre.

Krahas kësaj ligjerate, takuam ndaras Rektorin e Universitetit Nënë Tereza, Izet Zeqirin shoqëruar nga profesorja Arta Xhelili, për të biseduar për zhvillimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe ndërkombëtarizimin e universitetit, duke shrytëzuar mundësitë e ofruara nga programet evropiane si Erasmus+ dhe Horizon Europe.

Pas takimit zyrtar, së bashku me rektorin Zeqiri vizituam Galerinë Omer Kaleshi dhe bibliotekën universitare, për t’u njohur më afër me kushtet e studentëve dhe nevojat e tyre në vazhdim.