October 10, 2024
BallinaMaqedoni

Mexhiti: Ligji i ri për përfaqësimin e drejtë parasheh gjoba nëse nuk do të respektohet

Ligji i ri për Përfaqësim të Drejtë do të jetë i përgjithshëm i cili parasheh gjoba për ata që nuk e respektojnë të njëjtin. Kështu deklaron zv. kryeministri i parë, Izet Mexhiti në lidhje me zgjidhjen e re ligjore që duhet ta zëvendësojë balancuesin, pas shfuqizimit të të njëjtit nga Kushtetuesja.

“Do të mundohemi deri në fund që kjo të jetë normë e obligueshme për çdo funksionar, pra të mos varet institucioni se a e ka udhëheqësin shqiptar apo nuk e ka shqiptar dhe varësisht prej asaj do të rritet përfaqësimi i shqiptarëve, por të jetë normë ligjore e cila nesër çdo udhëheqësi të institucionit që nuk e respekton do të ballafaqohet me gjobë dhe do të ballafaqohet me shkelje të ligjit”, deklaroi për “Alsat” Izet Mexhiti.

“Nuk ka kuptim ta rregullojmë në mënyrë ligjore dhe ta lëmë nesër në vullnetin e një individi se a do apo nuk do ta përfillë këtë çështje”.

I pyetur se si do të tejkalohet rekomandimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë se në të ardhmen me asnjë ligj nuk duhet të kërkohet përkatësia etnike e kandidatëve, Mexhiti është i prerë se përkatësia etnike patjetër duhet të përfshihet në ligj.

“Nuk e kanë me të drejtë se përfaqësimi adekuat në administratën shtetërore dhe publike nuk mund të bëhet nëse nuk dimë përbërjen etnike të punëtorëve… Patjetër, atëherë si do të bëjmë përfaqësim adekuat pa e ditur përbërjen etnike të administratës”, u shpreh Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.

Zëvendëskryeministri garanton se ka vullnet në qeveri për t’u miratuar ligji, i cili nuk do të kontestohet para Gjykatës Kushtetuese.

“E para, parimet do të jenë që të mbrohet kategoria kushtetuese, përfaqësimi adekuat i gjitha bashkësive në Maqedoni, pa u përplas me Gjykatën Kushtetuese sepse e dimë që garniturat e kaluara na kanë lënë një defekt që mundet edhe ligjin me dy shumica ta abrogojnë me shumicë të thjeshtë”, shtoi Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.

Shtrirja e ligjit, sipas Mexhitit do të jetë në të gjitha institucionet, duke përfshirë edhe organet e sigurisë, të cilat nuk i ka përfshirë balancuesi deri më tani.

Në pyetjen nëse ligji do të jetë i veçantë apo do të bazohet në dy ligjet për administratën publike dhe shtetërore, nenet e të cilave i ka shfuqizuar Gjykata Kushtetuese, Mexhiti thekson se gjasat janë që do të jetë i veçantë, por gjithsesi do të ketë debat të gjerë për të njëjtin.

“Më shumë do të jetë i veçantë, por do jetë zgjidhje ligjore. Mos ta paragjykojmë. Me rëndësi, çështja e përfaqësimit adekuat do të zgjidhet ligjore, jo si deri tani vetëm me një vegël, mekanizëm siç ishte balancuesi. Për formën dhe detajet mendoj se do të ketë debat publik dhe kjo nuk do të bëhet në mënyrë të fshehtë. Do të intensifikojmë që të bëhet edhe më shpejtë për ta mbyllur këtë temë”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë. /Alsat/