Taravari: Ligji që e propozojmë ne, shumë më i mirë se “Balansuesi”
-Kur përkatësia etnike është kategori kushtetuese, na duhet ligj i ri. Me ligj do të parashihen jo vetëm barazia etnike por edhe ajo gjinore dhe gjithsecila, në të gjitha institucionet e sistemit, këtë e tha mes tjerash sot kryetari i ASH-së, Arben Taravari, pas shfuqizimit të Balancuesit nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa siguroi se ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është gati. Taravari tha se ligji është shumë më i mirë se mekanizmi i Balancuesit.
“Unë mendoj se marrëveshja mes nesh dhe VMRO-së ishte që ta përgatisim ligjin, ligji është i përgatitur, marrim mendime edhe prej ekspertëve ndërkombëtarë dhe mandej do ta procesuojmë në Parlament, besoj që do të ketë mirëkuptim prej të gjithëve dhe ligji është mekanizëm shumë më i mirë sesa instrumenti apo mekanizmi i Balancuesit. Uroj që të kemi përkrahje sepse më përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve është kategori kushtetuese, është e pakontestueshme, çdo gjë që është në Kushtetutë do të rregullohet me ligj. Besoj se së shpejti rregullohet me ligj”, deklaroi Taravari.