BallinaMaqedoni

BDI: Ditë e zezë për shqiptarët!

Në një paraqitje të jashtëzakonshme para Gjykatës Kushtetuese, BDI ka dënuar ashpër vendimin e Gjykatës Kushtuese me të cilin ndalohet deklarimi i përkatësisë etnike gjatë punësimeve në institucione publike në Maqedoninë e Veriut, transmeton TV21.

Arbër Ademi nga kjo BDI, tha se ky vendim godet barazinë mes komuniteteve në Maqedoninë e Veriut dhe ata, shqiptarët, nuk do të përfaqësohen më në institucione.

“Jemi mbledhur për të dënuar vendimin shokues të Gjykatës Kushtetuese për të ndaluar deklarimin e përkatësisë etnike. Ky vendim përbën një sulm të drejtpërdrejt ndaj të drejtave të komuniteteve në Maqedoni dhe do të ketë pasoja të rënda për funksionimin e drejtë dhe të barabartë të institucioneve. Deklarimi i përkatësisë etnike është një e drejtë e patjetërsueshme dhe një element i domosdoshëm për të siguruar përfaqësimin e drejtë të të gjitha komuniteteve. Përmes këtij vendimi, goditet parimi i barazisë. Vendimi për të ndaluar përkatësinë etnike nuk është një hap i izoluar. Ai ka pasoja të gjëra dhe të thella duke përfshire eliminimin e mundësisë që institucionet të pasqyrojnë përbërjen multietnike të shtetit tonë”, tha Ademi.