BallinaMaqedoni

Kontrata për kredinë hungareze do të nënshkruhet sot në Budapest

Sot në Budapest duhet të nënshkruhet kontrata për kredinë hungareze në vlerë prej gjysmë miliardë eurosh, një pjesë e së cilës do t’i ndahet sektorit të biznesit, ndërsa një pjesë për realizimin e projekteve komunale.

Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, transmeton Lideri.mk, javën e kaluar tha se më 8 tetor do të udhëtojë në Budapest dhe se po atë ditë do ta nënshkruajë marrëveshjen.

Kushtet në të cilat merret kredia, sipas Qeverisë janë të favorshme. Kredia është marrë me një normë interesi prej 3.25 për qind me një periudhë mospagimi trevjeçare dhe një afat shlyerjeje 12-vjeçare.

Ligji për kredinë hungareze, për të cilin u pajtuan kryeministri Hristian Mickoski dhe ai hungarez Viktor Orbán gjatë pjesëmarrjes në Samitin e NATO-s në Uashington, u votua në Kuvend më 17 shtator të këtij viti.

Synimi i Qeverisë, siç deklaroi së fundmi kryeministri Mickoski, është që paratë e dedikuara për ekonominë të shpërndahen përmes bankave vendore me të njëjtat kushte me të cilat është marrë kredia, e nëse kjo nuk ndodh, atëherë në mënyra të tjera do të kërkohet që t’i vërë në dispozicion këto fonde për sektorin e biznesit./Lideri