Mickoski dhe Vuçeviq me qëndrime të ndryshme, Maqedonia synon pavarësim nga gazi rus, Serbia jo!
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kolegu i tij serb, Millosh Vuçeviq, në takimin e sotëm në Shkup janë paraqitur me qëndrime të ndryshme lidhur me gazin rus. Deri sa Mickoski përmendi synimin për pavarësi nga gazi rus, transmeton Lideri.mk, Vuçeviq kishte qëndrim ndryshe lidhur me qëllimet e Serbisë.
“Synimi strategjik i kësaj qeverie është të jetë udhëkryq në këtë pjesë të Evropës për tre elementë kyç – infrastrukturën rrugore, energjetike dhe hekurudhore. Interkonektori i gazit mes dy vendeve është një nga këto prioritete, ai duhet të jetë gjithashtu një prioritet për Evropën Qendrore sepse do të ofrojë një opsion për një 12 BCM të ri që tani nuk i ka, dhe kështu do të reduktojë varësinë nga gazi rus”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Në këtë kontekst, kryeministri përmendi pushtimin rus të Ukrainës me pritjet se gjatë dimrit Ukraina do të tërheqë sasi të mëdha energjie nga Evropa, gjë që do të ndikojë në një rritje drastike të çmimit të energjisë.
Kryeministri serb Millosh Vuçeviq tha se serbia nuk do të heqë dorë nga gazi rus, pavarësisht kush e dëshiron këtë.
“Jemi shumë krenarë për projektin “Rryma Turke, Rryma Jugore”, quani si të doni. Po të mos ekzistonte ai projekt dhe të mos e kishim ndërtuar ne, Serbia tani nuk do të kishte furnizim me gaz. Le të jemi të saktë dhe të sinqertë – ne nuk heqim dorë nga asnjë gaz, duam edhe gaz rus, edhe të Azerbejxhanit, të gjitha burimet. Të heqim dorë nga gazi i dikujt tjetër sepse dikush tjetër mendon kështu, më falni, por ne kujdesemi për shtëpinë tone”, u shpreh Millosh Vuçeviq, kryeministër i Serbisë.
Dy kryeministrat folën edhe për planin e lidhjes hekurudhore të shpejtë, 220-250 km në orë, në kuadër të Korridorit 10.
Në pritjen e sotme të delegacionit serb, nuk ishin prezent asnjëri nga përfaqësuesit shqiptar në qeveri.