Ali Ahmeti: Në 33 vjetorin e pavarësisë, shqiptarët po trajtohen si qytetarë të rendit të dytë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim ka shënuar përvjetorin e 33 të të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut me një status në faqen e tij në Facebook ku ka dërguar porosi politike në lidhje me aktualitetin politik në vend.
“33 vjet më parë, shqiptarët i gëzoheshin ndarjes nga Jugosllavia dhe ngjallën shpresë për ndërtimin e një shteti të ri të barabartë për të gjithë.
Por, kjo nuk ndodhi, shteti i ri i Maqedonisë vijoi avazin serb në Jugosllavi duke i trajtuar shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë.
Kjo solli deri tek lufta e vitit 2001 dhe Marrëveshja paqësore e Ohrit.
23 vite më pas, shohim që akoma ka tendenca për majorizim, për mosrespektim të vullnetit demokratik të shqiptarëve nga partia që përfaqëson komunitetin shumicë, për shkelje të legjitimitetit etnik me synim për të krijuar shërbëtorë ndër shqiptarët për politikat e tyre monoetnike.
Andaj, në këtë përvjetor të pavarësisë, vlerësoj që elitat politike maqedonase duhet të vetëdijësohen për përgjegjësinë e madhe që e kanë në ndërtimin e shtetit duke respektuar vullnetin politik të shqiptarëve dhe barazinë, sepse ky shtet është i të gjithë neve dhe nuk ndërtohet dot duke mos e respektuar legjitimitetin etnik.“ thotë Ali Ahmeti.