Maqedoni

Nehat Rushan Curri (1978-2001), ra dëshmor rrugës për në Haraçinë për tiu bashkuar komandant Telit

Shkruan: Fadil Curri

Në Kompleksin Memorial të Hanit të Elezit në Puset e Nikës, fole e UÇK-së e këtyre anëve, gjendet edhe varri i Nehat Currit, dëshmorit që gjeti vdekjen në malet e Karadakut të Shkupit rrugës për në Haraçinë për t’iu bashkangjitur njësitit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Maqedonisë, të prirë nga komandant Teli i lavdishëm. Vdiq me uniformë dhe armë çlirimtare të ushtrisë që e donte, me emblemën që e ëndërronte jetërisht. Kjo e vërtetë del së paku nga rrëfimet e të tjerëve, familjarëve dhe bashkëluftëtarëve të Nehatit, të cilat i përshkruan me dinjitet autorial në librin e tij “Flakadanët e lirisë” biografi i dëshmorëve të kësaj ane, Shaban Çupi. Edhe për Nehatin në shtëpinë time me nënën e tij Xhemilen dhe bashkëluftëtarin Bekim. Figurën e Nehatit nuk e bën interesante vetëm vdekja e tij për popull e atdhe, por historia patriotike familjare, e rrethit dhe biografia e tij. Këtë herë përciptazi do të shënojmë disa.
Nehat Curi u lind në Shkup më 1978 në familjen e prindërve Rushan e Xhemile me prejardhje nga Dërmjaku i Hanit të Elezit dhe Kërbliqi i Kaçanikut. Familjet e prindërve kishin histori dinjitoze të vuajtjes dhe të flijimit për atdhe, si nga nëna, ashtu edhe babai. Nga nëna njihet historia e jesirëve dhe e syrgjynëve gjatë luftës së parë ballkanike deri në Rumani, bile edhe me vdekje rrugëve. Në vitin 1912 familja e Rushan Currit nga Armata III Serbe e gjeneral Bozhidar Jankoviqit iu vra gjyshi Liman Bektesh Curri. Edhe gjatë luftës II Botërore familja paraardhëse e Nehatit mori pjesë në lufë antifashiste deri në Simitli. Pas masakrës masive në Bllacë familja e Rushan Currit u bë shtëpi e dytë e bllacjanëve për strehim, veshmbathje e ushqim, sa si rrëfente Rushani, ai e vëllezërit e tij flenin mbi magje, ngase të gjitha dhomat ishin mbushur me bllacjanë, ndonëse ishte shtëpia më e madhe në fshat. Pas trazirave të vitit 1981 familja e Nehatit ishte shumë aktive në lëvizjen kombëtare dhe shpesh pikë kontrolli e policisë së atëhershme jugosllave natën e ditën. Edhe gjatë viteve nëntëdhjetë familjarët e tij morën pjesë në krijimin e celulave të para të UÇK-së bashkë me heronjtë e mëvonshëm Hamëz e Adem Jashari, Abdyl Krasniqi, Mentor Kaçi, Fatlik Lila e të tjerë, duke krijuar Frontin e Rezistencës dhe uniformat ushtarake shqiptare. Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1999 Nehatit iu vranë dy kushërinj të parë në thyerjen e kufirit ndërshqiptar Shqipëri-Kosovë në Koshare, djali i xhaxhait Imri Pajazit Curri dhe djali i dajës Zekerija Musli Dardhishta. Në çdo luftë familja e tij dha ndihmën e mundshme dhe në këtë frymë liridashëse u rrit dëshmori tematik i sotëm, Nehat Curri, e formoi personalitetin e tij patriotik e flijimtar.
Njihej si nxënës i mirë i shkollës fillore të lagjes që sot e mban emrin e Imri Elezit, dëshmorit të Lagjes së Dizhonit të Çairit të Shkupit, e cila lagje ishte shembull se si luftohej për të drejtat e shqiptarëve në Shkup dhe ishte halë në sy për regjimin jugosllav në Maqedoni. Nga ky vendbamim në ushtrinë jugosllave dhe luftërat kombëtare shqiptare ranë shumë trima, si Enver e Imri Elezi, Nehat Curri e të tjerë. Pasi kreu gjimnazin“Zef Lush Marku”në Shkup Nehati regjistroi Fakultetin në Tetovë dhe si jurist i dinte dhe i ndjente katërcipërisht shkeljet e të drejtave të shqiptarëve më mirë se të tjerët. Rrënimin e shtëpive të kësaj lagjeje kur ishte fëmijë më vonë e kuptoi si heroizëm juridik të shqiptarëve të kësaj lagjeje, të cilët për herë të parë në Jugosllavi në Shkup bënë demosntrata publike rrugëve të Shkupit te qeveria e këtushme, akt që shkundi ndërgjegjen jugosllave e botërore, sidomos për republikat perëndimore, se me shqiptarët nuk është në rregull, se nuk u lejohen të drejtat e merituara baraz me popujt tjerë.
Në një poezi të tij shkrimtari i njohur botëror, Shandor Petëfi, shkruan vargjet se për dashuri jap jetën dhe për atdhe e jap dashurinë. Shembull tipik i kësaj porosie poetike ishte i riu 23-vjeçar Nehat Curri. Ky ishte student dhe i fejuar me një vajzë nga Shkupi. Dashurinë me të e ndjente lumturi, por disi të mangët dhe jo të plotë kur nuk ndjente paqen e lumturinë e popullit të tij shqiptar. Ndaj me bashkangjitjen radhëve të UÇK-së, dashurinë rinore e flijoi për mbidashurinë atdhedashuri. Kishte bindjen se pas luftës të drejtat e shqiptarëve do të rriteshin dukshëm dhe se dashuria me atdhedashuri do të plotësohej, ndonëse e dinte se shkuarja në luftë mund të jetë edhe fatprerë për jetën, ashtu si i ndodhi. Sidoqoftë, kishte bindje se ata që do të mbeteshin gjallë, do ta gëzonin lirinë e aspiruar brez pas brezi. Nehati puk pati fat të martohej nga shkaku i vdekjes, por ëndrra e tij disi u realizua për të gjallët që e përjetuan lirinë që e donte shumë. Pra, Nehati për lirinë e vendit e tokës popullore e flijoi martesën e lumturinë personale.
Prindërit Rushan e Xhemile i kishin 5 djem e 3 vajza, por më shumë e përmendnin sugarin e tyre, Nehatin, mbase pikërisht për flijimet që bëri në jetë për të mirën e kombit dhe fatin e dhimbshëm jetësor. Kur e shikonte njeriu Nehatin, shquante në të bukurinë e pashoqe prej bardhaveli, shijen e humorit në biseda familjare, por edhe fjalën e peshuar dhe të vendosur të dhënë, që e mbante pa u tundur. Është interesant të përmendet edhe fakti se kur u vranë dëshmorët familjarë Imri Curri e Zekirja Dardhishta, Rushani e Xhemilja ishin tejet durimtarë dhe ngushëllues për prindërit e këtyre dëshmorëve. Kur vdiq Nehati të njëjtin qëndrim durimi e patën, që flet se dëshmorët i konsideronin si të ishin fëmijët e tyre. Kishin falenderime te Zoti që ua kishte falur dhe mund t’ua merrte kur të donte. I gëzoheshin faktit se ua kishte lënë të kënaqeshin aq vite në të gjallë të tyre.
Nesër, e hënë e 21 qershorit do të shënohet e nderohet 20-vjetori i rënies së dëshmorit Nehat Curri. Në vendin e vdekjes në Karadak të Shkupit do të vendoset pllaka përkujtimore dhe në Han të Elezit pasdite do të bëhet akademia për shënimin e nderimin e figurës së tij. E meriton Nehat Curri dhe bashkëluftëtarët e tij, familja, Lagjja e Dizhonit të Shkupit, Hani i Elezit, lëvizja mbarëkombëtare për liri të merituar të shqiptarëve.
Zoti i shpërbleftë flijimet e dëshmorëve e heronjve, invalidëve të luftës dhe të gjithë ata që e ndihmuan lirinë e shqiptarëve. Edhe Nehatit iu bëftë dritë në xhenet, kurse të gjallëve e gëzofshin lirinë me qëllim përparimi të mëtejmë, lirinë pa kufi të imponuar, por të natyrshme e të merituar. Logjika e vdekjes për liri e dëshmorëve është e përgjithshme, jo e vetëm një familjeje, e një krahine, e një partie, jo e pjesshme, por për Shqiptari. Kështu na mësojnë veprat e dëshmorëve e heronjve nga anë e besime të ndryshme shqiptare, që falën jetën në vende të ndryshme, Kosovë, Maqedoni, Preshevë, nga një kufi në tjetrin. Kjo filozofi kombëtare e njerëzore ishte si formulë patriotike edhe për Nehatin dhe rininë e brezit të tij për një Zot, gjuhë e atdhe, për një flamur, për të tyret e vetme.