Kushtetutshmëria e Ligjit për Gjuhët, Mickoski: Edhe mua më pengon “Maqedonia e Veriut”, por e respektoj Kushtetutën
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski i pyetur sot rreth kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e Gjuhëve dhe mundësin e destabilizimit të vendit tha se realiteti ndonjëherë është i hidhur dhe se nuk është “tryezë suedeze”, ku mund të marrësh atë që të pëlqen dhe ta lësh atë që nuk të pëlqen.
“Nuk besoj se do të ketë mundësi për destabilizim… Unë jam person që i respektoj ligjet dhe kushtetutën dhe nuk pres që kushdo qoftë që merr pagë dhe shfrytëzon privilegjet e qytetarëve këtu tek ne, të mos i respektoj ligjet e Maqedonisë dhe Kushtetutën e Maqedonisë. Ndoshta edhe mua më paraqet problem diçka që është bërë në të kaluarën me Kushtetutën, dhe sado që të mos pajtohem dhe të jem kundër, siç është përdorimi i mbiemrit “E Veriut”, unë derisa ta ushtroj këtë funksion do të qëndroj para kësaj shenje, sepse nuk dua që në këtë mënyrë ta lëndoj Kushtetutën e Maqedonisë dhe Ligjet e Maqedonisë, kjo është kjo. Ndonjëherë realiteti mund të mos ju pëlqej, por ju duhet ta pranoni atë realitet, në rast se vërtet luftoni për sundimin e së drejtës. Ndonjëherë në jetë gjërat shkojnë ashtu siç ju dëshironi, por ndonjëherë nuk janë ashtu siç ju i dëshironi. Nuk është kjo një tryezë suedeze që të mund të marrim atë që na pëlqen, ajo që nuk na konvenon ta lëmë anësh”, deklaroi Mickoski duke përkujtuar edhe njëherë se ekzistojnë disa struktura të cilat për ta mbrojtur kapitalin e tyre të fituar në mënyrë kriminale janë në gjendje të bëjnë gjithçka përfshi edhe destabilizimin e vendit.
“Ka disa struktura në shoqëri të cilat kanë për qëllim që të mbrojnë kapitalin e tyre të fituar në mënyrë kriminale, që të shkaktojnë incidente dhe shkaktojnë destabilizim, por në rast se kjo ndodhë ne do të reagojmë në mënyrë objektive në drejtim të mbrojtjes së sigurisë së vendit tonë”, u shpreh Mickoski.