September 19, 2024
Maqedoni

VMRO: Filipçe posedon kompani në Bullgari, nuk e ka paraqitur te Antikorrupsioni

Lideri aktual i LSDM-së, Venko Filipçe, ende nuk e ka regjistruar kompaninë e tij që e ka në Petrich të Bullgarisë në fletën anketuese, edhe pse ka marrë obligim për këtë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ka akuzuar Maria Miteva nga VMRO-DPMNE në një konferencë për shtyp. Ajo bëri të ditur se VMRO-DPMNE në ditët në vijim do të japë detaje se çfarë fshihet në adresën në Petriç.

“Në ditët në vijim do t’i prezantojmë opinionit publik për lidhjen afariste të Zaevit dhe Filipçes, do të ndriçojmë nëse Venko Filipçe është kryetar i LSDM-së në mënyrë që më lehtë të menaxhojë rrjetin e kompanive nga Bullgaria, nga Petriçi dhe Strumica deri në Shkup, sikurse familjet e Zaevit dhe Filipçes hynë në biznese miliona dollarëshe sa ishin në detyrë dhe si u lidhën me kompani me aktivitete të dyshimta. Vërejmë se të gjitha këto gjetje tashmë janë bërë publike nga IRL, por Venko Filipçe dhe LSDM iu shmangën çdo përgjigje”, tha Miteva.