Albina Ramadani, studentja më e mirë e mjekësisë në Universitetin e Shkupit
Tri vajza janë të diplomuarat më të mira në fakultetet e mjekësisë në RMV në vitin 2024
Anastasija Petliçkovska, Albina Ramadani, Bojana Kacarova. Ilustrim: Meta.mk
Anastasija Petliçkovska, Albina Ramadani, Bojana Kacarova. Ilustrim: Meta.mk
Si dëshmi e jashtëzakonshme e përkushtimit dhe këmbënguljes së vajzave të reja në mjekësi, tre studentët më të mirë të diplomuar në fakultetet kryesore të mjekësisë në Maqedoninë e Veriut këtë vit janë vajza. Anastasija Petliçkovska, Albina Ramadani dhe Bojana Kacarova morën çmimin “Primarius Dr. Dimitar Ivanovski”, të cilin për çdo vit e ndan Oda e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut për tre studentët me mesataren më të lartë në tre fakultetet shtetërore të mjekësisë në kuadër të Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM), Universitetit Shtetëror në Tetovë (USHT) dhe “Goce Dellçev” në Shtip (UGD), transmeton Portalb.mk.
Nga viti në vit rritet përqindja e studenteve vajza në numrin e përgjitshëm të të diplomuarve në mjekësi në vendin tonë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave nga gjithsej 893 studentë të diplomuar në këto tri fakultete të mjekësisë në vitin 2023, 682 ose mbi 76 përqind janë vajza.
Në një intervistë për Meta.mk mjeket e reja (të ardhshme) fituese të këtij çmimi flasin për kërkesat rigoroze të arsimit mjekësor në vend, sfidat me të cilat u përballën në rrugën drejt diplomës dhe licencës dhe perspektivat e tyre për cilësinë e arsimimit dhe punës praktike që e kanë realizuar. Anastasija, Bojana dhe Albina gjithashtu i ndajnë edhe këndvështrimet e tyre për gjendjen në të cilën gjendet profesioni i mjekut në Maqedoninë e Veriut, duke i analizuar mundësitë dhe pengesat që i kanë përpara.
Eksperiencat dhe njohuritë e tyre japin një perspektivë me vlerë për drejtimin e mbrojtjes shëndetësore në vend, të formësuar nga brezi i ri i mjekëve, teksa këta tre mjeke të reja po bëhen gati të fillojnë me karrierat e tyre profesionale.
Bisedën e plotë mund ta lexoni në vazhdim.
Çfarë ju frymëzoi të filloni ta studijoni dhe të merreni me mjekësinë?
Anastasija: Nuk mendoj se mund të jap një përgjigje konkrete për këtë pyetjeje. Për mua në një farë mënyre nuk ka pasur kurrë opsion tjetër në përzgjedhjen e një profesioni. Unë thjesht e dija se duhej të studioja mjekësi dhe nuk mund ta imagjinoja veten në asnjë profesion tjetër.
Albina: Që më herët në kohën e adoleshencës kur fillova të kuptoja rreth studimeve, profesionit dhe ëndrrave që kisha me çfarë të merrem në të ardhmen e mendoja veten si mjeke për arsye se është profesioni më human dhe dëshira ime më e madhe është t’ju ndihmoj njerëzve që ato të ndihen mirë dhe të sigurt, dhe ku më mirë se me mjekësinë mund ta arrija këtë qëllim!
Bojana: Kam pasur një dëshirë shumë të madhe për shkencat natyrore. Kjo dëshirë më ka lindur që në shkollën fillore. Atëkohë sinqerisht nuk kisha një ide të saktë se cili do të ishte profesioni im i ardhshëm dhe isha një fëmijë kurreshtar. Kisha dëshirë të marr pjesë në gjithçka, të shihja gjithçka, të bëja gjithçka dhe ashtu thjesht e gjeta atë që do të më tërhiqte më shumë. Me qenë se jam nga Velesi shkolla më e përshtatshme për mua ka qenë shkolla e mesme e mjekësisë-kimisë, ku zgjodha të mësoj për infermieri, sepse në atë mënyrë do të mësoja për shkencat natyrore, është një fushë humaniste dhe mësohet një lloj profesioni, ndërsa puna me njerëz nuk paraqet një problem për mua.
Pastaj, kur regjistrohesh në shkollën e mesme të hapen më shumë perspektiva. Diku nga viti i tretë, kur hymë më shumë në botën e mjekësisë, e kuptova që kjo ishte ajo që dua, ajo ku unë e gjej veten, që më përmbush dhe më bën të ndiej njëfarë kënaqësie në fund të ditës. Për mua mjekësia është një ndërthurje e shkencës dhe artit. Është një fushë kaq e gjerë, ka kaq shumë degë dhe sfera në të cilat mund të përqendroheni dhe të gjeni veten- nga veprimtaria shkencore ose arsimore, përmes veprimtarisë klinike, punës me pacientë, në laboratorë e të tjera.
Anastasija Petliçkovska. Ilustrim: Meta.mk
Anastasija Petliçkovska. Ilustrim: Meta.mk
Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat jeni përballur gjatë studimeve dhe si i keni tejkaluar ato?
Anastasija: Nuk është diçka e panjohur që Fakulteti i Mjekësisë konsiderohet si fakulteti më i vështirë. Numri i provimeve – gjithsej 61, kompleksiteti i atyre provimeve – ka provime që përbëhen nga gjashtë ose më shumë provime të veçanta për ta arritur një notë përfundimtare, vëllimi i materialit, detyrimi për prezencë në fakultet – ndonjëherë me një orar të plotë nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 6 pasdite. Ajo që unë personalisht do të veçoja si një sfidë të madhe, po mbase jo aq evidente, është se sa larg për studentët e mjekësisë në të vërtetë është fillimi i një karriere nga ora e parë akademike. Kjo theksohet sidomos rreth vitit të katërt të studimeve, kur bashkëmoshatarët me profesione të tjera tashmë kanë filluar me një punë dhe ta gjejnë vendin e tyre në shoqëri, ndërsa studentët e mjekësisë sapo kanë filluar të ndjekin lëndët klinike. Edhe pse ndonjëherë duket si një përjetësi, gjashtë vjet kalojnë jashtëzakonisht shpejt. Përfundimi i fakultetit është vetëm fillimi i një rruge të gjatë përpara.
Albina: Sfida më e madhe që kam pasur në periudhën e studimeve ka qenë gjetja e mënyrës së studimit. Kush studion mjekësi e din që të gjitha lëndët kanë lidhshmëri me njëra tjetrën dhe janë shumë të logjikshme për t’i kuptuar , por nga mbingarkesa e shumë lëndëve dhe nga koha e limituar për arsye të ligjeratave, ushtrimeve, e gjeja veten të përhumbur në tërë atë literaturë. Mirëpo hap pas hapi dhe me shumë vështirësi arrita që ta përfundoj me sukses.
Bojana: Studimet e mjekësisë ishin një proces vërtet sfilitës. Këtu ndikojnë shumë gjëra, duke filluar nga aspekti financiar. Është për të ardhur keq që studimet e mjekësisë, si dhe çdo fakultet tjetër publik, sikur ka lehtësime vetëm për ata studentë që janë financiarisht të qëndrueshëm. Është shumë e vështirë dhe e lodhshme ta përfundosh, sidomos një fakultet shtetëror kaq të vështirë me një profesion shumë të përgjegjshëm dhe studime kaq të vështira, pa qenë i fuqishëm financiarisht. Ky është një problem. Nga hiçi të bësh diçka dhe të krijosh mundësi vetë, duke e privuar veten nga disa komoditete të cakuara.
Por studentët nuk duhet të dekurajohen, le të ecin para me guxim, me besim në vetvete dhe në Zot. Rruga është me gjemba, por kënaqësia është e madhe. Nuk është e vështirë ta kuptosh materialin, sepse ose ke një “dhunti” për ta kuptuar historinë, për ta kuptuar materialin, ose thjesht nuk je i lindur për këtë gjë. Mjekësia nuk mësohet përmendësh. Kjo nuk është aq problem sa që është problem mosorganizimi sistematik i disa rregullave dhe ndryshimeve që ndodhnin në momentin e fundit.
Këtu do ta përmendja edhe lënien pas dore të roleve tona si qenie shoqërore. Po, ne jemi të vetëdijshëm se na pëlqen profesioni i mjekut, por ama nuk duhet të harrojmë edhe një gjë – se ka jetë edhe përtej profesionit tonë dhe jashtë vendit tonë të punës. Për fat të keq unë e kam lënë pas dore rëndë – a do ta kisha ndryshuar nga këndvështrimi i sotëm, nuk e di, por nëse do të kisha ndryshuar diçka, ndoshta nuk do ta bënim këtë intervistë tani, por kam lënë pas dore shumë miqësi, lidhje familjare, marrëdhënie familjare… Thjesht shkon në shtëpi, i përshëndet familjarët, ulesh për të studiuar, vjen e diela, u ktheheni studimeve tuaja dhe kjo vazhdon për gjashtë vite të gjata.
Dhe në fund si sfidë do e kisha përmendur edhe ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenien. I këshilloj të gjithë mjekët dhe studentët e rinj që të kenë kujdes të veçantë dhe të kujdesen për shëndetin e tyre, me aktivitet fizik të moderuar dhe një dietë të shëndetshme.
Albina Ramadani. Ilustrim: Meta.mk
Albina Ramadani. Ilustrim: Meta.mk
Si do e kishit vlerësuar cilësinë e arsimit që e keni marrë? Sa mendoni se ju ka përgatitur fakulteti për punë praktike në mjekësi? A keni pasur mundësi të bëni punë praktike dhe sa ju ka ndihmuar ajo?
Anastasija: Diplomimi në fakultetin e mjekësisë është një ndjenjë e çuditshme, në të njëjtën kohë di shumë dhe nuk di asgjë. Ndonjëherë befasohem edhe vetë me informacionet që i di. Nga ana tjetër janë të pakta shërbimet që një i sapodiplomuar në fakultetin e mjekësisë mund t’ia ofrojë në mënyrë të pavarur një pacienti. Vitet e fundit të fakultetit sigurisht që i kushtohen më shumë aftësive praktike dhe nuk mund të them se si studentë nuk kemi mundësi për punë praktike. Megjithatë, në përgjithësi studimet universitare janë më të orientuara drejt njohurive teorike dhe na përgatisin të jemi mjekë të përgjithshëm të mjekësisë. Gjatë praktikës klinike aktuale, por edhe me punë, definohen njohuri dhe përsosen aftësi të ndryshme praktike.
Albina: Cilësinë e studimeve dhe të arsimimit nga 1-10 do ta vlerësoja me notën 7. Arsyeja është mungesa e theksuar e bashkëpunimit profesorë-student, grup administrativ-student, mjekë-student, asistentë-student. Gjithashtu gjithmonë sipas mendimit tim duhet t’i jepet edhe më shumë rëndësi punës praktike spitalore, sepse nesër ajo është realiteti i parë me të cilin do të përballemi sapo të vendosim në praktikë punën mjekësore.
Bojana: Jam shumë e kënaqur me mënyrën se si u realizua puna praktike. Shkoja për praktikë në Veles, kam shkuar edhe në praktikë të rregullt në Spitalin klinik në Shtip, si dhe në klinika private në Shkup. Fakulteti ynë ka nënshkruar marrëveshje me disa institucione shëndetësore shtetërore dhe private. Nga ky aspekt, sa i përket punës praktike jam e kënaqur dhe vërtet nuk mund të gjej ndonjë vërejtje këtu, sepse mendoj se fakulteti bëri gjithçka që mundi nga aspekti i punës praktike.
Në fund e gjitha mund të përmblidhet në një fjali “Ujku e ka qafën të trashë se i ther delet vetë”. Më ka ndodhur që të rri jashtë orarit në praktikë, të qëndroja në kujdestari, që të mësoja diçka që do të vlente dhe që të jem produktive në punë.
Secili nga profesorët dhe asistentët është përpjekur që të na përkushtohet maksimalisht, me aq sa dinin dhe mundeshin.
Në fund të fundit, historia varet nga vetë ne. Thelbi i mjekësisë dhe i studimit të mjekësisë është të mësojmë se si të mësojmë, të dimë si të kuptojmë, kështu që aq sa është meritë e atyre që na kanë përcjellur njohuritë, aq është edhe meritë e jona – sa jemi përpjekur të mësojmë dhe t’i zotërojmë ato, e pastaj, si t’i zbatojmë gjitha ato njohuri të fituara.
Fakulteti i mjekësisë konsiderohet si një nga më të vështirët. Si ia dilni/dilnit mbanë të arrini një baraspeshë mes studimeve dhe jetës personale dhe detyrimeve të tjera?
Anastasija: Kuptohet që ndonjëherë të duhet të heqësh dorë nga një dalje, një kafe me një shoqe, një udhëtim në fundjavë apo edhe një leksion në favor të studimit, ushtrimeve apo provimeve, por duke e pasur parasysh atë qëllimin më të madh, me një “menaxhim të mirë të kohës” gjen kohë për gjithçka. Për sa kohë që prioritetet janë të qarta, detyrimet do të kryhen në kohë dhe me sukses duke lënë kështu kohë edhe për argëtim, stërvitje dhe shëtitje. Arritja e një baraspeshe personale është një aftësi qenësore për të “mbijetuar” në fakultetin e mjekësisë.
Albina: Për çdo student të shkencave mjekësore problemi kryesor në periudhën e studimeve ka qenë mospasja e kohës së mjaftueshme për të kryer detyrime tjera të përditshme, mungesa nëpër evenimente kryesore, mospasja e kohës për pushime verore ose dimërore (për arsye të periudhës së provimeve), rëndesa psikologjike në lidhje me vitet e gjata të studimeve dhe të menduarit që kjo periudhë nuk do mbarojë kurrë. Balancimi i kohës është në varësi të drejtpërdrejtë me prioritetet. Në periudhën e studimeve natyrisht i jepet hapësirë kohore më së shumti profesionalizimit dhe studimit. Pra mbetet shumë pak kohë për të kaluar me ngjarje tjera që ndodhin në përditshmëri, për fat të keq ndonjëherë cenohet edhe shëndeti psikik dhe fizik për të arritur sukses.
Bojana: Sinqerisht, e kisha të vështirë ta realizoj atë proces. Prioritet më i madh për mua ishte studimi – të zotëroja sa më shumë nga materiali, të mësoja sa më mirë dhe pastaj “le të bëhej si të bëhej”. Thjesht, doja të prezantohem sa më mirë, ta kuptoj atë që e mësoja dhe të përpiqem ta zbatoj atë. Ky ka qenë fokusi im këto vitet e fundit. Mbështetja nga të dashurit është gjithashtu e rëndësishme. Mbështetja nga ana e familjes për mua ishte shumë e rëndësishme. Unë e gjeta qetësinë time në natyrë. Natyra me hiret e saj është një melem për shpirtin tim dhe ristartim për mendjen time. Më jepte energji dhe forcë për të vazhduar me detyrimet e tjera.
Një sugjerim për studentët dhe studentet e ardhshme, të përpiqen të krijojnë një baraspeshë në jetë. Shumica e tyre do të diplomojnë dhe do të punësohen, do ta mësojnë punën – mjekësia punohet edhe sipas protokolleve, por në fund të fundit janë edhe disa role shumë serioze jetësore dhe shoqërore – prindër, nëna, baballarë, bashkëshortë, partnerë dhe të ngjashme.
Natyrisht që duhet t’i kushtojmë kujdes edhe shëndetit tonë nëse duam që të mundësojmë mbrojtje shëndetësore dhe t’i mjekojmë të tjerët!
Bojana Kacarova. Ilustrim: Meta.mk
Bojana Kacarova. Ilustrim: Meta.mk
Një pyetje të pashmangshme për çdo student të mjekësisë në RMV: Çfarë planifikoni të bëni pas diplomimit dhe ku e shihni veten në vitet e ardhshme?
Anastasija: Për momentin e shoh në Maqedoni, shpresoj e punësuar si specializante në degën që do e zgjidhja vetë.
Albina: Planet e mia më të afërta tash pas diplomimit janë që të plotësohem 100% si një mjeke e përgjithshme dhe të jem e gatshme për t’ju dalë në ndihmë në çdo kohë njerëzve që do të kenë nevojë dhe kjo arrihet me lexim të vazhdueshëm dhe me përkushtim shumë të theksuar në pjesën praktike. Pasi ta arrij këtë që përmenda më lartë, atëherë do e mendoj të specializohem në një drejtim të caktuar në varësi të asaj se ku do e gjej veten më të afërt gjatë punës praktike.
Bojana: Në jetë veproj „go with the flow“. Nuk e di se sa mirë apo sa keq është kjo (në përvojën time të deritanishme është treguar si diçka e mirë), por nuk kam qëllime dhe qëndrime të definuara qartë, të fuqishme për atë se duhet të bëj diçka, unë thjesht i lë gjërat të rrjedhin në mënyrë spontane.
Çfarë mundësish mendoni se kanë punonjësit shëndetësorë në RMV krahasuar me ata në vendet evropiane? Si e balanconi dëshirën për atë që ofrojnë mundësitë globale me përkushtimin për të kontribuuar në vendin tonë?
Anastasija: Për fat të keq është fakt që një numër i madh i të diplomuarve menjëherë pas përfundimit të studimeve largohen drejt një nga vendet evropiane. Edhe pse vazhdimisht flitet se ka mungesë të mjekëve, punësimi në një institucion shëndetësor shtetëror pas diplomimit është i vështirë, sidomos në një degë sipas zgjedhjes personale. Lajm i madh dhe i rëndësishëm këto ditët e fundit është lajmi për punësimin e planifikuar të pesë studentëve më të mirë nga tre fakultetet e mjekësisë. Sipas meje, në një sistem ideal koncepti “specializant privat” nuk do të ekzistonte dhe të gjithë studentët e diplomuar do të kishin një shans për t’u punësuar në shëndetësinë publike pasi të kishin marrë licencën për punë. Numri i studentëve që regjistrohen në fakultetet e mjekësisë duhet të korrespondojë me numrin e vendeve të punës që mund t’u ofrohen mjekëve të diplomuar.
Albina: Përgjigja ime në lidhje më këtë pyetje është shumë e shkurtër. Nëse e bën punën tënde me dëshirë, vullnet dhe përkushtim atëherë suksesi dhe arritja të presin me duart hapur ku do që të jesh.
Bojana: Kjo, për mendimin tim, është një mendim dhe vendim individual. Çdo person ka kërkesa dhe nevoja të ndryshme nga jeta. Në një intervistë të mëparshme thashë “Nëse të gjithë ikim nga ky vend, kush do të mbetet ta mjekojë këtë popull?”. Po, vërtet ashtu është, por secili largohet për arsye të ndryshme. Njerëzit nuk largohen vetëm sepse diku ka një pagë më të lartë ose një sistem shëndetësor më të organizuar. Ata largohen edhe për shkak të padrejtësive dhe nepotizmit. Pra, zgjedhja është personale dhe varet nga perceptimet personale për punën dhe jetën e përditshme. Secili nga ne i sheh mundësitë përmes perspektivës dhe prizmit të tij.
Si e shihni të ardhmen e profesionit të mjekut në vendin tonë? Çfarë ndryshimesh ose përmirësimesh do kishit dashur të shihni në sistemet e arsimit mjekësor dhe mbrojtjes shëndetësore?
Albina: Në sistemin e mënyrës ne studimeve, punësimit dhe punës në vazhdimësi si një mjek në të ardhmen 3 janë pikat që do doja t’i ndryshoja: 1. Pranimin e një numri te caktuar studentësh në fakultetin e Shkencave Mjekësore sipas disa kritereve të caktuara 2. Rritja e pagës dhe 3. Përmirësimi i kushteve spitalore dhe përmirësimi i higjienës nëpër spitale.
Bojana: Fillimisht, ndryshime në mënyrën se si realizohet arsimi mjekësor. Të fillojmë nga literatura në dispozicion, e shkruar nga autorët dhe profesorët tanë në Maqedoni. Teoria, po, është e rëndësishme, nuk mund të punohet pa teori, është një bazë tejet e rëndësishme, por studentët duhet ta përsosin atë me lloje të ndryshme të punës praktike.
Është mirë të shihet se në çfarë fushe është i talentuar çdo mjek i ri. Kjo kërkon një mentorim adekuat. Mjekësia është një oqean i madh, ka një vend për të gjithë – qoftë në një institucion klinik ose në një institut.
Pastaj, të mundësohet specializim adekuat për studentët dhe mjekët e talentuar, ta studiojnë siç duhet mjekësinë, që ata të mund të vazhdojnë ta bëjnë këtë.
Unë mendoj edhe se është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje edukimit mjekësor, sepse sado që njerëzit kanë njohuri për mjekësinë “nga kultura e përgjithshme”, ka pjesë të popullatës që kanë vërtet nevojë për edukim – minoritetet, adoleshentët, vajzat dhe djemtë e rinj dhe kjo thjesht duhet të bëhet sa më shpejt dhe sa më herët që të jetë e mundur që të ketë efekt.
Pastaj, edukimi duhet të jetë edhe për mjekët, sepse studimi i mjekësisë është një fazë e përjetshme që nuk ndalon kurrë. Një mjek i mirë, përveç ekspertizës profesionale, posedon edhe aftësi humaniste.
Për ndryshime globale duhet filluar me hapa më të vegjël, nga ne vetë si individë.
Çfarë këshille do ju kishit dhënë studentëve të tanishëm të mjekësisë të cilët duan të shkëlqejnë dhe të kenë sukses në studime?
Anastasija: Studimet në degën e mjekësisë janë një rrugë e vështirë dhe e gjatë, për fat të keq ka shumë zhgënjime, por në fund puna juaj do të vlerësohet ashtu siç duhet. Çani para me ritmin tuaj, mos bëni krahasime dhe mos bëni garë me askënd tjetër. Dhe ajo që për mua është e një rëndësie të veçantë, lini gjithmonë kohë për pushim dhe kënaqësi, një student që e ka bërë gjumin mirë dhe që është i kënaqur gjithmonë studion më mirë se një student i mbingarkuar dhe i lodhur.
Albina: Këshilla ime për studentët aktual të mjekësisë është që të mos përqendrohen duke menduar për vitet e gjata të studimeve, por t’i shfrytëzojnë ato për të marrë sa më shumë dituri sepse asnjëherë në një të ardhme nuk do ta kenë këtë mundësi, poashtu të mos nënshtrohen nga ideologjitë e askujt, por të logjikojnë dhe ta ngrejnë zërin për çdo shqetësim, sepse çdokush është i zëvendësueshëm.
Bojana: Do t’i këshilloja që të mos e kenë si qëllim të dallohen nga të tjerët, që të bien në sy e të dëgjohen. Thjesht të jenë të përkushtuar, të punojnë, të mësojnë mirë, të jenë produktiv dhe të përmbushur dhe cilësia gjithmonë, në një mënyrë apo në një tjetër, do të dallohet dhe pranohet. Do të hasin në shumë pengesa dhe ngatërresa, shumë më shumë se sa në miqësi, mbështetje dhe ndihmë, në njerëz që do të duan t’i shtyjnë dhe t’i ngulfasin, por besoj se, kurdoherë, drita e gjen rrugën e vet. Të mos dorëzohen! Me besim në Zot, pengesat tejkalohen!
Interesante është që që të tre studentët/studentet më të mirë/a të diplomuar/а në fakultetet e mjekësisë janë vajza. Në çfarë mënyre mendoni që fusha e mjekësisë dhe arsimi munden t’i mbështesin më së miri studentet dhe mjeket?
Anastasija: Për fat të mirë, mjekësia sot nuk është më një profesion i dominuar nga djemtë dhe studentet dhe mjeket kanë të njëjtat mundësi dhe shanse si pjesëtarët e gjinisë mashkullore. Sigurisht që ka degë të mjekësisë me më shumë specialistë djem apo vajza, por ka shumë faktorë që luajnë një rol në një shpërndarje të tillë dhe kjo absolutisht nuk do të thotë se ka specializime vetëm për djem apo vetëm për vajza. Të paktën deri më tani, unë personalisht nuk e kam ndjerë nevojën për një mbështetje të veçantë sepse jam vajzë. I uroj për suksesin e arrirë dy koleget e tjera të vlerësuara si të diplomuarat më të mira dhe u uroj suksese edhe më të mëdha në të ardhmen!
Albina: Vajzat kohëve të fundit kanë treguar se janë shumë të zonja në profesionin të cilin e ndërmarrin, veçanërisht në profesionin e mjekes, i cilia është i lidhur drejtpërdrejt me ndjeshmërinë dhe vajzat janë shumë të ndjeshme si natyrë. Vajza ka dëshirë të pashtershme për të qenë e pavarur dhe e lirë në vendimet që i merr, kështu që pasja e një profesioni dhe zotërimi i tij paraqet një përparësi shumë të madhe në jetën e saj. Diçka që do i ndihmonte vajzat gjatë studimeve është ndihma financiare sepse në Maqedoni ende nuk është shumë e lehtë ose është gati e pamundur që të gjesh ndonjë punë me kohëzgjatje të shkurtër me të cilën mund t’i mbulosh shpenzimet, për dallim nga djemtë të cilët e kanë më të lehtë këtë pjesë. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është që një mjeke vajzë pushimin pas lindjes ta ketë minimum deri në 18 muaj, për shkak se balancimi i jetës profesionale me atë familjare sidomos në profesionin tonë është një nga gjërat më të vështira me të cilat përballet një vajzë.
Bojana: E rëndësishme është që mjekja të vlerësohet sipas cilësive të saj dhe kontributit që ajo e investon gjatë punës. Disa plane në jetën private nuk duhen marrë fare parasysh. Të jesh grua në fushën e mjekësisë është një detyrë e vështirë, por në të njëjtën kohë një funksion dinjitoz, i guximshëm dhe luftarak. Kam arritur në një përfundim: njerëzit që janë vërtet të arsimuar dhe të sigurt në njohuritë e tyre, nuk kanë frikë të jenë të rrethuar nga njerëz të suksesshëm, pa dallim nëse janë ato djem apo vajza.
Autor: Goshe Nikollov