Vizitë pune e Murtezanit – Angazhim i ndërsjellë me Austrinë për navigim të suksesshëm për procesin e BE-së
Ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, në kuadër të vizitës së tij të parë të punës në Austri, sot në Vjenë takoi Ministren Federale për BE-në dhe Kushtetutë të Austrisë, Karoline Edshtadler, në të cilën biseduan për përforcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë për politikën e zgjerimit të BE-së dhe së fundmi Planin për Rritje të prezantuar për Ballkanin Perëndimor.
Tema kryesore e diskutimit ishte Draft-agjenda e reformuese 2024-2027, të cilën ministri Murtezani e prezantoi si pako gjithëpërfshirëse dhe kohezive të masave të dizajnuara për përshpejtimin e konvergjencën ekonomike të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Agjenda reformuese përfshin sërë nismash kuantitative dhe cilësore që kanë për qëllim reduktimin e dallimeve ekonomike, rritjen e konkurrencës dhe sigurimin e përmbushjes së standardeve strikte të BE-së.
“Agjenda reformuese nuk është vetëm një plan strategjik, por një dëshmi e përkushtimit tonë për harmonizimin me standardet evropiane dhe për avancimin e procesit tonë të adermit në BE”, theksoi ministri Murtezani. “Me mbështetjen e partnerëve si Austria dhe kornizën e siguruar nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, besojmë se do të kemi progres konkret drejt anëtarësimit të plotë në Union”.
Në takim u riafirmuan marrëdhëniet e fuqishme miqësore mes Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ministri Murtezani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme parimore dhe të zëshme të Austrisë në rrugën evropiane të vendit, si dhe për rolin e saj aktiv në promovimin e politikës së zgjerimit brenda BE-së. Ai gjithashtu theksoi potencialin për bashkëpunim të mëtejshëm në kuadër të Strategjisë së re Rajonale të bashkëpunimit zhvillimor Austriak për Ballkanin Perëndimor, e cila do të zbatohet nga viti 2024. Kjo strategji ofron kornizë për angazhimin e Austrisë në rajon, me mundësi për projekte bilaterale dhe rajonale në fusha kyçe si qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, zhvillimi i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës social dhe ekonomik, klima dhe mjedisi jetësor.
Ministrja Edshadler konfirmoi përkushtimin e Austrisë për të mbështetur Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për stabilitetin dhe sigurinë evropiane. Dy ministrat ranë dakord për nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit dhe dialogut për të siguruar navigim të suksesshëm të Maqedonisë së Veriut nëpër sfidat e procesit të integrimit në BE.
Ministrat shprehën gatishmëri për përkushtim të ndërsjellë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për të punuar së bashku për arritjen e qëllimeve të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, me Draft-agjendën për reforma dhe Planin për rritje si komponentë kyç të këtij procesi në vazhdim