BallinaMaqedoni

Krahu i Selës: Aleanca për Shqiptarët nuk i takon VMRO-së

Pasi Bujare Abazi nga ASH-Taravari tha se Aleanca për Shqiptarët u takon atyre që e dërguan BDI-në në opozitë, ka reaguar krahu i Selës ku thanë se Aleanca për Shqiptarët nuk i takon VMRO-së, as atyre që ju dorëzuan VMRO-së, përcjell TV21. ASH-krahu i Selës tha se, delegatët e Kongresit ku morrën pjesë mbi dy të tretat, legjitimuan Ziadin Selën për Kryetar të Aleancës për Shqiptarët, vendim ky, që siç thonë e konfirmoi edhe Gjykata Themelore në Tetovë.

“Aleanca për Shqiptarët nuk i takon VMRO-së, as atyre që u dorëzuan te VMRO
Delegatët e Kongresit ku morrën pjesë mbi dy të tretat, legjitimuan Ziadin Selën për Kryetar të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa këtë vendim e konfirmoi edhe Gjykata Themelore në Tetovë. Vonesat në Gjykatën e Apelit, deklaratat e paradokohshme të Arben Taravarit se tani “ka ndryshuar situata” duke aluduar në hyrjen e tyre në Qeveri dhe trumbetimet e tij se do të ndryshojë vendimi i shkallës së parë, forcon dyshimet për presione mbi Gjykatën e Apelit. Sa i takon aspektit moral që dëgjuam sot nga uzurpatorët, Aleanca për Shqiptarët nuk i takon VMRO-së, as atyre që ju dorëzuan VMRO-së. I rikujtojmë se misioni i Aleancës për Shqiptarët është mbrojtja e shqiptarëve nga nënçmimi, degradimi dhe poshtërsimi, mosnënshtrimi ndaj partive maqedonase dhe avancimi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përveç kësaj, pas Ziadin Selës janë reshtuar shumica dërmuese e themeluesve, eksponentëve, deputetëve, funksionarëve, kuvendarëve, delegatëve dhe shumica e anëtarëve të Aleancës për Shqiptarët, si dhe qytetarët të cilët me votë na mbështetën në zgjedhjet e fundit parlamentare”, tha ASH-krahu i Selës.