BallinaMaqedoni

Zbardhet në tërësi vrasja e djeshme në Shkup, i arrestuari i dytë është liruar

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se është zbardhur vrasja e djeshme në afërsi të Qendrës Tregtare “Mavrovasja” në Shkup, ku mbeti i vdekur 58-vjeçari V.E. nga Shkupi, përcjell TV21. Nga MPB thonë se në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë parashtruar kallëzim penal në procedurë të përshpejtuar ndaj 39-vjeçarit E.K., i cili dyshohet për veprat penale “vrasje”, “vrasje në tentativë” dhe “prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim pa leje të armëve apo lëndëve shpërthyese”.

“Pas masave të marra dhe reagimit të shpejtë të SPB-Shkup, forcat speciale të policisë, helikopterët dhe dronët, është kapur dhe privuar nga liria autori i krimeve, E.K. (39) nga Shkupi. Nga ana e Departamentit për Hetime Forenzike pranë MPB-së, është kryer ekspertizë e gëzhojave dhe e një arme, e cila ekspertizë lidh dy krimet me autorin E.K.”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MPB-së.
Për personin e dytë që u privua nga liria ditën e djeshme nuk është konstatuar asnjë lidhje me ngjarjen dhe është lënë i lirë. Po ndërmerren masa intensive për gjetjen e një personi tjetër të përfshirë, i cili dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e krimit “Vrasja”.