Toshkovski: Gjatë kalimit të Gashit në kufi, nuk janë respektuar të gjitha procedurat
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski konfirmoi disa nga shkeljet që janë bërë gjatë kalimit të kreut të Kuvendit Afrim Gashi dhe delegacionit të tij në kufi për në Kosovë, duke qenë pjesë e kolonës me vetura dasmorësh. Toshkovski konfirmon se kalimi i Gashit është paralajmëruar sipas rregullit dhe është evidentuar në librin për evidenca. Përskaj kreut të Kuvendit në njoftim janë përfshirë edhe anëtarë të familjes së tij, anëtarë të sigurimit dhe tre vetura zyrtare të policisë. Megjithatë, me delegacionin e Gashit, kanë kaluar edhe dy vetura të tjera më shumë.
“…përskaj kreut të Kuvendit janë përfshirë edhe anëtarë të familjes së tij, anëtarë të sigurimit dhe tre vetura zyrtare të policisë… Pikën kufitare në datë 18.08.2024 në ora 18.40 deri 18.42 e kanë kaluar gjatë vetura nga të cilat tre policore dhe një veturë VIP”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.
Praktika e punës në kufi për delegacione do të thotë, me qëllim që të sigurohet hapësirë pa vetura të tjera, kontrollet të bëhen me regjim lehtësues, siç është bërë edhe në këtë rast, thotë Toshkovski. Por, siç shton ai,
“…është vërtetuar se bartësi i delegacionit si dhe anëtarët e familjes së tij që janë paralajmëruar se do të dalin nga vendi, nuk janë evidentuar në sistemin për kontrolle të udhëtarëve dhe veturave. Gjithashtu është konstatuar se nuk është ndjekur procedura për evidentimin e të gjithë personave dhe udhëtarëve që kanë kaluar kufirin”, shtoi Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm.
Ndaj udhëheqësit të ndërrimit në pikën kufitare do të ndërmerren masa për vërtetimin e përgjegjësisë sipas Marrëveshjes kolektive.
Dyshimet se nuk janë evidentuar personat që kanë kaluar kufirin dhe që kanë qenë në kolonën e veturave të dasmorëve në të cilën ka qenë edhe kreu i Kuvendit, i ngriti më herët edhe LSDM-ja.
“Kolona, përpara se ta kalojë kufirin ka qenë e parkuar në një pikë karburanti në afërsi të kufirit. Më pas, të gjitha veturat bashkë, përfshirë edhe veturat private kanë kaluar në linjën për kamionë, gjegjësisht për mjete të rënda, pa u ndaluar. Që skandali të jetë edhe më i madh, në veturat ku kanë qenë sigurimi i Gashit, ka pasur edhe dasmorë, gjegjësisht persona privat, gjë që është ligjërisht e ndaluar. Kjo nënkupton se vendkalimi në Bllacë është privatizuar tërësisht për nevojat e Gashit, me “aminin” e VMRO-së dhe me nëpunësit përgjegjës”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.
Ata thonë se me pranimin e shkeljeve, Toshkovski nuk shpëton nga përgjegjësia dhe duhet të japë dorëheqje ose të shkarkohet.
Për akuzat e LSDM-së reagoi koalicioni VLEN. Sipas VLEN-it, LSDM-ja drejton zemërimin për rezultatin zgjedhor në adresë të gabuar dhe kujtojnë skandale të mëhershme që lidhen me krerët dhe funksionarët e LSDM-së.
“Para se të mbajnë konferenca për shtyp, qëllimi i të cilave është të largojnë vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme partiake, i bëjmë thirrje LSDM-së të përgjigjet: Pse nuk reaguan në të njëjtën mënyrë kur Zoran Zaev dhe Venko Filipçe vozitën motoçikleta jashtë kufijve të Maqedonisë së Veriut, të shoqëruar nga sigurimi shtetëror? A ishte atëherë kjo për ta etike dhe sipas protokollit të sigurisë, apo një sjellje skandaloze, siç pretendojnë tani? Afrim Gashi me familjen e tij e ka kaluar kufirin në mënyrë të rregullt dhe ai kurrë nuk ka kaluar ndonjë pikë kufitare në këmbë, si disa të tjerë!”, thonë nga VLEN.
Vetura zyrtare e kreut të Kuvendit, e shoqëruar nga veturat e sigurimit, u pa ditë më parë në një video, e rreshtuar me vetura të tjera dasmorësh në kufirin me Kosovën në Bllacë. Nga kabineti i Gashit nuk mohuan pamjet por thanë se gjatë këtij udhëtimi të Gashit me familjen janë respektuar të gjitha procedurat./Alsat.mk