Bedri Sadiku, reportazh ekskluziv me rastin hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999
Prangat e robërisë u hoqën- faqe e re në historinë e Kosovës
Bedri Sadiku, reportazh ekskluziv me rastin hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999
-Në ora 5 e 17 minuta të datës 12 qershor të ‘99-tës ushtarët e NATO-s bënë hapat e parë në trollin e Kosovës.- Greg Lovell, ushtari i parë i NATO-s që hyri në Kosovë: Me punën time do të ndikoj në realizimin e dëshirave të kahmotshme të popullit të ktij rajoni për liri e demokraci. -Në Han të Elelzit nuk kishte askund civilë -ushtarët e NATO-s u pritën nga pjestarët e UÇK-së. –Fëmijët e katundeve të Ferizajt dolën me lule në duar për të përshëndetur NATO-n. –Prishtina vazhdonte ta pritëte agimin e lirë, duke kaluar natën e fundit nën thundrën pushtuese e kolonialiste serbe. –Forcat e NATO-s vazhdonin të hynin nga disa anë të Kosovës, forcat serbe shkonin drejt pjesës veriore të Kosovës për t’u larguar përgjithëmonë nga toka e huaj për ta. – Në orët e para të mbrëmjes në oborret e shtëpive në Kaçanik dhe Han të Elezit, kishte filuar të ndjehej edhe aroma e tymit dhe zjarrit të shpresës – piqej bukë, njerëzit kishin filluar të kthehen nëpër shtëpitë e veta. – Shkupi edhe për disa ditë me rradhë përcolli varganet e ushtarëve të NATO-s drejt Kosovës, duke u dëshiruar rrugë të mbarë atyre dhe liri të përhershme Kosovës
Nuk fjetëm as natën midis 11 e 12 qershorit, si edhe disa netë të tjera me rradhë, që nga fillimi i takimeve midis gjeneralit Majk Xhekson dhe ekipit të tij të NATO-s e KFOR-it me gjeneralët serb, që nisën me takimin në restorantin “Evropa 93” në Bllacë, katund në kufirin e Kosovës me Maqedoninë, aty ku vetëm dy muaj më parë ndodhi drama më e njohur e ekzodit të një populli nga vatrat e tij, të cilin me të gjitha mjetet e dhunës, terrorit dhe gjenocidit e pati filluar pushteti okupues serb në Kosovë dhe makineria ushtarako policore e Millosheviqit dhe kompanisë së tij. Fjetje nuk kishte më fare as netëve që i kaluam në Haxhitepe të Kumanovës,ku vazhduan bisedimet e gjeneralëve, përmes të cilave NATO ia tregonte Serbisë rrugët për dalje të përgjithmonshme nga Kosova e për moskthim asnjëherë në këto troje që i shkeli dekada me rradhë.
Të akredituar deri natën e 11/12 qershorit, diku pas mesnate, ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota. Ishte kjo për shumë gazetarë të huaj ngjarja më senzancionale e këtij shekulli, ndërsa për ne gazetarët shqiptarë nga Kosova ishte pritja e agimit të parë në liri dhe e njërës ndër ditët më të ndritshme të historisë tonë kombëtare e të historisë së Shtetit të Kosovës. Armiku shekullor po detyrohej më në fund të largohej nga Kosova, pas një lufte të organizuar e të lavdishme të bijëve të saj në kuadër të UÇK-së dhe ndihmës së aleatëve tanë –SHBA, Britania e Madhe, Gjermania. . . NATO, që ishin kësaj rradhe në anën e drejtësisë dhe jo vetëm në anën tonë.
12 qershor ’99, ora 5 e 17 minuta: U hap një faqe e re në historinë e Kosovës
Helikopterët e NATO-s, një herë vetëm dy dhe pastaj njësi të helikopterëve të llojeve të ndryshme, luftarak gjithësesi, por më vonë edhe transportuesit, shënuan fillimin e operacionit më të madh të këtij lloji në këtë gjysëmshekulli të fundit, mund të thuhet lirisht që nga zbarkimi i aleatëve në Normandi, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ishte ora 5 e 17 minuta. Linja telefonike e kolegut tim, Behlul Jasharit, që raportonte vazhdimisht për ATSH-në, tash dhjetë minuta ishte e hapur dhe drjetpërsëdrejti e lidhur me Emisionin e mëngjesit të Radioi Tiranës. NATO dhe ushtarët e saj bënë hapat e parë në Kosovë, dhe Radio Tirana shkon drejpërsëdrejti me këtë lajm nga Bllaca, kufiri Maqedoni-Kosovë. Po hapet një faqe e re në historinë e Kosovës. Është ora 5 e 17 minuta dhe ushtarët e parë britanikë të NATO-s po hyjnë në Kosovë. . . “ raportonte Behluli.
NATO dhe forcat ndërkombëtare po e fillonin me këtë edhe implementimin e angazhimit dhe të përpjekjes së kahmotshme të shqiptarëve të Kosovës, të cilët kishin kërkuar dhe kërkonin ardhjen e saj brendë në Kosovë dhe jo në kufijt e saj.
Gazetarë nga mbarë bota e përcollën këtë akt me raportimet e tyre
nga kufiri që nga ora 2 e mëngjesit, kur ishte paralajmëruar se në ora 4 forcat e NATO-os do të hynin në Kosovë për të implementuar Marrëveshjen Ushtarake-Teknike, që u arritë vetëm dy ditë më parë në Haxhitepe të Kumanovës.
Greg Lovell, ushtari i parë i NATO-s që hyri në Kosovë: Me punën time do të ndikoj në realizimin e dëshirave të kahmotshme të popullit të ktij rajoni. . .
Ushtari i parë që e drejtonrte një automjet ushtarak të blinduar, Greg Lovell, Komandant i shoferëve të Njësisë së xhenieos të britanikëve, na tha se është shumë i lumtur që edhe ai do të ndikojë me punën e tij në realizimin e dëshirave të kahmotshme të popullit të këij rajoni për paqe, liri dhe demokraci.
Një delegacion ushtarak i britanikëve saktësisht në ora 5 të së shtunës, 12 qershor, e kaloi kufirin e Maqedonisë me Kosovën dhe u takua me një delegacion ushtarak e policor të serbëve, të cilët , siç morëm vesh më vonë, i ishin ankuar se e kanë sulmuar forcat e UÇK-së dhe kishin kërkuar mbrojtje e u ishin dorëzuar atyre që t’i dërgonin deri në Kaçanik dhe pastaj për Ferizaj dhe Prishtinë, drejt kufirit verior të Kosovës për në Serbi. Pritej vetëm ardhja e delagcionit britanik dhe të jepej komanda për nisje, që shënoi fillimin e shkrimit të një faqeje të re të historisë së Kosovës.
Në kohën kur në kampin e kosovarëve të dëbuar në Bllacë njerëzit ishin në gjumin më të mirë, ushtarët e NATO-s hynë në Kosovë dhe për habi të shumë gazetarëve të pranishëm , mundën të takojnë atje vetëm ata policë serbë që u ishin dorëzuar, ndërsa vetëm nja njëqind metra më larg hasën në një grup ushtarësh të UÇK-së, katër-pesë veta, që kishin dalë në rrugë, afër Fabrikës së çimentos “Sharri” në Han të Elelzit, të përshëndetnin hyrjen e ushtarëve të NATO-s në Kosovë, patrnerin dhe aleatin më të madh të tyre dhe të Kosovës në luftën për heqjen e përgjithmonshme të Serbisë nga këto troje.
I pari ushtarak i UÇK-së me të cilin u takuam atë mëngjes të shumëpritur në Kosovë ishte Ismaili, ushtar i Zonës Uashtarake të Neredimes, i cili për “Rilindjen”, që pritej të dilte atë natë në Shkup si botim special me rastin e hyrjes së NATO-s në Kosovë, tha se ishte kjo dita e tij më e lumtur deri më tani. “Kemi humbur edhe ne mjaft në këtë luftë, kemi pasur viktima të gjenocidit, të dhunës dhe të krimit. Shkijet nuk kanë vend më këtu dhe nuk do të lëmë asnjë të mbetet”, na tha Ismaili i cili shtoi me këtë rast se në postbllokun kufitar, në anën e Kosovës, tani kanë mbëtur vetëm edhe katër doganier, por ata kishin dhënë fjalën se nuk do t’i prekin me dorë tash për tash, deri sa të zgjidhet edhe kjo çështje”, tha Ismaili.
Në Han të Elelzit dhe në Kaçanik sikur të kishte rënë mortaja – shtëpitë e zbrazta, dyert e hapura, asnjë njeri, pos ushtarëve të UÇK-së
Në Han të Elelzit nuk mund të takoje njeri tjetër pëos atyre ushtarëve të UÇK-së . Shtëpitë ishin të zbrazëta, dritaret dhe dyrt të hapura, plaçkat dhe bagëtia të vjedhura, rralë kund mund të hasje në ndonjë qen a mace në rrugë. Shkret kishte mbetur qyteza. Shqiptarët ishin dëbuar me dhunë tash më shumë se dy muaj. Luftëtarët e UÇK-së shumë rrallë kishin rënë poshtë, vetëm gjatë luftimeve të fundit që u bënë, ndërsa maxhupt dhe ata pak shkije që kishin bërë gjithë dhunënë mbi popullatën shqiptare, kishin shkuar bashkë me ushtrinë dhe policinë serbë që po tërhiqej, pas krimeve dhe masakrës që kishte bërë anekënd Kosovës dhe pas nënshkrimit të kapitulimit nga ushëheqja serbe në Kumanovë te vendi i quajtur Haxhitepe.
Kontrolli te Ura e Kashanit – më shumë se 4 orë
Te ura e Kashanit, që është vetëm disa kilometra larg Hanit të Elelzit, ishte ndalur vargani i pjestarëve të njësisë së xhenios të britanikëve që përbëhej nga ushtarë të Nepalit dhe të Britanisë së Madhe dhe kur shkuam në vend të ngjarjes pamë këta ushtarë që po bënin kontrollimin se a ka mina si aty, ashtu edhe te tuneli i parë rrugës për në Kaçanik dhe kështu me rradhë. Në mes të Urës së Kashanit pamë megjithatë edhe një vargan forcash policore dhe civile serbe me 16 makina dhe një xhip, me tabela të Ferizajt dhe të Gjilanit, si dhe dy me të policisë, të cilët ishin futur midis dy konvojeve ushtarakë të NATO-s. Se për ku do të dërgoheshin saktësisht ata, nuk e morëm vesh, por e pamë se armët e gjata si atyre ashtu edhe doganierëve u ishin marrë dhe u kishin mbetur vetëm revolet, por edhe “tre gishtërinjët” e tyre, që i çonin lartë ngandonjëherë.
Te Ura e Kashanit konvojet e NATO-s, të përcjella nga gazetarët e shumtë, pritën nga ora 8 e mëngjëesit deri në ora 12 e 15 minuta, kur tashmë e lanë prapa Hanin e Elelzit me katundet e tij që dukeshin si të vdekura pa banorët e vetë. Po në këtë kohë shkoi deri në Han të Elelzit dhe u kthye edhe një autoambulancë e Kryqit të Kuq nga Prizreni, që ra në sy të gazetarëve dhe që kishte tabelat PZ-145-29, kurse hyrjen në Kaçanik as që e morëm vesh, sepse që në mëngjes heret forcat e NATO-s ishin pozicionuar dhe kishin zënë pikat kyçe në këtë qytet, si te udha e Gajres, te udha e Bobit, te Ura, te Pompa e benzinës etj. kurse banorë vendës nuk kishte askund dhe mund të shiheshin si aty, ashtu edhe në katundet për rreth – Doganaj etj. vetëm dhuna, shkatërrimet dhe rrënimet që i kishin shkaktuar forcat serbe me granatimet e tyre.
Diku rreth orës 13 e 10 minuta konvoji i NATO-s dhe i gazetarëve ku ishte edhe reporteri juaj, mbërriti te Fusha e Pajtimit, ku gjithashtu ushtarët e NATO-s më parë, të përcjellë nga forca të shumta ajrore, kryesishtë helikopterë, kishin zënë pozicione dhe konvoji tjetër u nisë që të vendosej në Gërlicë, ku më parë kishte qenë një postbllok i madh i forcave serbe për të kontrolluar rrugët që çojnë për në Prishtinë dhe për në Ferizaj e në Viti dhe Gjilan. Ushtarakët e NATO-s kryenin me përpikmëri detyrat e tyre dhe kjo shihej si në dhënien ashtu edhe në marrjen e urdhërave, kurse deri në katundet e para të Ferizajt reporterët nuk patën rast të takoheshin me banorët vendës të Kosovës.
Në dalje të Ferizajt, te Kosharja, por edhe në katundet e tjera shqiptare, dolën megjithatë banorët e parë kosovarë që i hasëm dhe veçmas ishte ngjarje dhe përjetim që nuk harrohet përshëndetja e fëmijëve me lule që ua bënin ushtarëve aleatë të Kosovës.
Gjithë ata që dolën, i madh e i vogël, kishin lule në duar dhe i brohoritnin NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe, por gjithëmonë e vazhdimisht edhe ushtrisë së tyre popullore, UÇK-së. Se vërtetë kishin mbetur pak njerëz në Kosovë, se ajo ishte zbrazur nga dhuna dhe terrori e gjenocidi serb, gazetarët këtë e vërejtën si në këto raste kur dilnin njerëzit të përshëndeteshin me ushtarët e NATO-s, të cilët i pritën si çlirimtarë të tyre, por edhe më vonë rrugëve kryesore të Prishtinës, për një një orë e gjysëm sa pati rast reporteri juaj të qëndrojë më 12 qershor të 1999-tës, pas një kohe prej gati pesë vjetësh sa nuk kishte mundur të shkojë në Kosovë.
Prishtina ishte në pritje të agimit të lirisë
Në Prishtinë hymë gati gabimisht dhe pastaj edhe me qëllim, sepse ky rrugëtim duhej të shkonte sipas porosive të NATO-s. Konvojet e NATO-s shkuan në drejtim të Shtimes dhe Lipjanit, kurse në me makinën tonë shkuam drejt për në Prishtinë dhe Lapnasellë e Çagllavicë hasëm menjëherrë në forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, të cilat megjithatë nuk na ndalën.
Vetëm disa metra pa mbërritur në Veternik, prej nga Prishtinën e ke në shuplakë të dorës, gjithë vemendja jonë ishte përqëndruar në ate se çfarë do të ishte pamja e parë e Prishtinës, sa ishte rrënuar e shkatërruar ajo dhe krejt kjo kurreshtje ishte për faktin se nga Prishtina kishte shumë pak informacione në opinion për gjithë ate që kishte ndodhur dy a tre muajve të fundit, kishte edhe dezinformata. Deha për një moment na doli përpara Prishtina, ajo e njohura dhe e dashura jonë, kryeqendra e Shtetit të Kosovës, themelet e të cilit gradualisht po forcoheshin edhe me ngjarjet e fundit që ndodhën në Kosovë dhe me hyrjen e NATO-s gjithësesi.
Megjithatë gjendje e rëndë njësoj mbertëronte edhe në Prishtinë, ku kishte pak njerëz rrugëve dhe gati gjithë ata flitnin serbisht, pos në afërsi të Grandit dhe para tij, ku kishin mbërritur ekipe të gazetarëve të huaj nga Beogradi. Me këtë rast për pak u shkaktua dhe një incident me disa gazetarë, për shkak të emblemës së Pres Qendrës së NATO-s dhe shenjës së NATO-s.Serbët edhe mëtutje besonin, apo ndoshta shpresonin se Prishtina kishte mbetur nën Serbi ! Ende nuk kishin parë ushtarë të NATO-s të hynin në këtë anë dhe gjithësesi një lloj vetbesimi , por dukej se ishte me hile, u kishte dhënë hyrja e suhtarëve rusë nga veriu i Kosovës e drejt në Aeroportin e Prishtinës. Një serb madje duke folur me ca gazetarë të huaj tha se nuk besonte se do ta lëshonin Prishtinën gjithë këta policë, ushtarë dhe paramilitarë, që silleshin vërdallë qytetit me shishe në gojë dhe të cilët shpresonin edhe më shumë në forcat ruse që tashmë kishin hyrë në Aeroportin e Prishtinës.
Edhe për Prishtinën mund të thuhej se ishte si e vdekur pa banorët e saj, pa një numër të madh shqiptarësh, kurse për ata që kishin mbetur aty u tha se kanë vuajtur mjaftë, por se kohëve të fundit u tha gjithashtu se ka pasur nga pak dhe ushqime që nuk ishin dhe aq të shtrenjta. Për polocinë, ushtrinë dhe paramilitarët, shqiptarët nuk kishin fjalë se si t’i përshkruanin sjelljet e tyre, ato i pamë edhe ne gazetarët me sytë tanë, por shpresonin- jo me zë, sikur vesh më vesh, se u kishte ardhur fundi dhe se NATO sonte do të hynte në Kosovë.
Në ora 16 pa 5 minuta helikopterët e parë të NATO-s fluturuan mbi Prishtinë- paralajmëronin çlirimin e Kryeqytetit të Kosovës
Pasi bëmë disa fotografi rrugëve të Prishtinës, dikur rreth orës 16 pa 5 minuta u nisëm në drejtim të Shkupit, pasi morëm vesh se ka mundësi që konferenca e shtypit e Gjeneralkit Xhekson, të cilën do ta përcillnin vetëm 38 nga më shumë se 1500 gazetarët, do të vonohej, kurse gjakrat në rrugët e Prishtinës sikur kishin filluar të nxehen. U dëgjuan bile nga lagja e Dardanisë edhe krisma të shumta , por nuk mundëm të kuptojmë se çfarë krismash ishin ato. Me tu nisur drejt Veternikut, dy helikopterë të NATO-s dolën mbi qiellin e Prishtinës dhe bënë disa xhiro mbi Dardani e Dragodan dhe në pjesën qëndrore të qytetit, që paralajmëronin ardhjen e forcave të NATOs- edhe në Prishtinë dhe fillimin e çlirimit nga thundra kolonialiste serbe edhe të Kryeqytetit të Kosovës.
Një pjesë e këtyre forcave, që drejtoheshin nga britanikët, i ishin afruar edhe Lagjes së Spitalit,ndërsa grupe ushtarësh ishin vendosur nga gjysma e Veternikut përpjetë, si pararojë e forcave të NATO-s e të KFOR-it, që pritej të hynin natën dhe në mëngjes në Prishtinë dhe që tashmë kishin mbërritur deri te Llugaxhia.Prishtina do ta kalonte vetëm edhe një natë nën thundrën pushtuese serbe, në pritje të agimit të parë në liri.
Rrugës për në Shkup vinte vargani i njësive të blinduar të britanikëve, gjermanëve dhe kanadezëve e amerikanëve,nga Lipjani dhe nga Shtërpca ktheheshin dhe shkonin drejt veriut të Kosovës edhe njësi të blinduara e kamionë me ushtarë e paramilitarë serbë, të cilëve kishin filluar t’u numroheshin ditët dhe orët për dalje jasht kufijve të Shtetit të ardhshëm të pavarur të Kosovës, që për një kohë do të ishte nën Protektoratin e Kombeve të bashkuara, ashtu siç kishin kërkuar tash një kohë të gjatë me udhëheqjen e tyre politike e ushtarake.
Në Ferizaj ende shihej tymi i shtëpive të djegura,ashtu siç ishin djegur gati të gjitha objektet rrugës për në Kaçanik, ku tashmë në orët e pasditës kishin filluar të ndjeheshin shenja më të mëdha të jetës. Njerëzit,bashk me NATO-n, veç kishin filluar të ktheheshin nëpër shtëpitë e veta . Ndjehej aromë e tymit dhe zjarrit të bukës, të ndezur në mes të oborreve si në Kaçanik ashtu edhe në Han të Elelzit. Në orët e pasditës shumë veta nga kampet e Fushës së Shkupit, por edhe nga Shkupi e Tetova , përmes Bllacës dhe Glloboçicës ishin kthyer nëpër shtëpitë e veta, kishin marrë dhe nga një thes miell dhe pak gjëra ushqimi. Jeta po kthehej gradualisht në binarët e saj, por me vrragët e rënda që i kishte lënë mbi supet e njerëzve tanë, shumica e të cilëve kishin mbetur pa të afërmit e tyre, që as varret nuk ua dinin. Kishte plot të dhëna që dëshmonin për shumë varreza masive edhe në këto anë, nuk dihej ku ishin varrosur viktimat dhe trimat që ranë te Përroi i Rakocit, por edhe shumë e shumë të tjerë që kishin rënë në alltarin e lirisë të Shtetit të Kosovës.
Shkupi vazhdonte t’i uronte NATO-s rrugë të mbarë për në Kosovë dhe Kosovës liri
Që në hyrje të Fushës së Shkupit, ku ishin ende kampet e të dëbuarve nga Kosova, në Bllacë e në Stenkoc, ana e majtë e rrugës për në Shkup ishte përplotë njerëz, kishte edhe kujdestarë që mbanin rend e qetësi dhe përplot lule, fëmijë e lule në krahët e ushtarëve të NATO-s dhe urime e përgëzime për ditën më të lumtur të gjithë kosovarëve kudo që ishin – diku në fronte në Kosovë, në katundet dhe qytetet e rrënuara të Kosovës dhe jasht kufijve të Kosovës. Të gjithë e dinin se po fillonte një periudhë e re dhe po hapej një faqe e re për popullin shqiptar të Kosovës, për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin. Po fillonte një periudhë e re e rregullimit shoqëror në botë, kur demokracia po e mundëte dhunën dhe gjenocidin njëherë e përgjithmonë dhe nuk do të lejohej më shkelja e lirive, të drejtave të njeriut dhe e vullnetit të një populli për liri e pavarësi. Kolonializmi serb në Kosovë kishte përfunduar një herë e përgjithmonë.
Edhe brënda qytetit të Shkupit vargane njerëzish kishin qëndruar që nga orët e hershme të mëngjesit dhe do të qëndronin edhe për ditë të tëra për të përshëndetur hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës nga forcat dhe pushteti okupues serb.
Mbëmja e Shkupit me vargun e varganëve të NATO-s që shkonin drejt Kosovës paralajmëronte me të madhe një agim dhe një ditë të re për Kosovën, sigurisht edhe një nafakë të re, më tha një plak nga Shkupi, që për dekada kishte jetuar në Shkup e mendjen e kishte pasur gjithëmonë në Kosovë.