Kosovë

Policët e lidhin, pastaj e rrahin qytetarin

Mesditën e sotme, policia në Prishtinë ka arrestuar një person i cili kishte ikur nga QKUK-ja. Gjatë arrestimit, i dyshuari ka sulmuar policët, ndërkaq pasi e kanë prangosur, një prej policëve ka ushtruar dhunë ndaj qytetarit

Gazetari Milaim Zeka, ka shpërndarë në Facebook një video nga momenti kur një prej policëve e godet qytetarin e prangosur.

“Shikojeni kete video, me shume kujdes. Shikoni edhe fotot. Ky djali i lidhur mundet me qene akademik, deputet, hajn, kriminel, apo vrases. A rrehet bre njeri i lidhur?! Qysh more nuk ju vjen marre me qene ne uniforme te shtetit e kaq harbut, arrogante, te pacip e kriminel?! A mire po ju duket me pase model Xhelal Sveqlen a?! Mani more se ashte marre, apo ju i keni ra babes shuplake, edhe nuk e dini se çka ashte marreja…!!!”, ka shkruar Zeka.

Ndryshe, i njëjti person është arrestuar ditën e djeshme nga ana e policisë pas denoncimit për një rast të dhunës në familje, e që ai është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Më pas i njëjti ka sulmuar policinë duke ju shkaktuar lëndime trupore dhe ka shfrytëzuar momentin për të ikur nga aty, e që më pas i njëjti është arrestuar.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“I dyshuari është arrestuar dje nga ana e policisë pas denoncimit për një rast të dhunës në familje.I njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh dhe pasi që ka shfaqur sjellje agresive të pakontrolluara me rekomandim të prokurorit të shtetit ai është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Përderisa sot policia ka qenë në monitorim të tij në QKUK, i njëjti ka sulmuar policinë duke ju shkaktuar lëndime trupore dhe ka shfrytëzuar momentin për të ikur nga aty. Përkundër rrethanave të krijuara policia është vënë në ndjekje të tij dhe pak më larg vendit të ngjarjes i njëjti është arrestuar nga ana e policisë”, ka deklaruar Ahmeti.

“Aktualisht janë duke u trajtuar rrethanat në të cilat është zhvilluar ngjarja me qëllim zbardhjen e plotë të tyre”, tha ajo./Express/