8 Marsi – Dita ndërkombëtare e gruas, qytetarët dhurojnë lule
Urimet dhe dhuratat për nënat, zonjat dhe zonjushat në shenjë respekti dhe dashurie për gjininë e bukur përcillen sot kudo me rastin e 8 Marsit. Por shoqatat feministe vazhdojnë të ngritin zërin për pozitën dhe të drejtat e barabarta të grave edhe në shoqërinë tonë.
Shitësit e luleve thonë se për 8 Mars, interesimi i qytetarëve për të blerë lule është i madh.
“Ecën puna se është dita e 8 Marsit – dita e nënës, shkon puna mirë, ka shitje, ka interesim, jemi të kënaqur prej punës. Tërë javën kemi pasur shitje, por dje dhe sot më shumë. Prej nesër fillon të bie puna, mandej fillojmë me lulet sezonale për oborre dhe ballkone.”, – tha një shitës i luleve.
Me rastin e 8 Marsit, qytetarët u bëjnë dhurata simbolike personave të afërt, mirëpo lule më tepër dëshirojnë të dhurojnë për këtë ditë.
“Po, ka shumë. Shoqeve, nënës, gruas, të gjithëve atyre që e festojnë 8 Marsin.”, – tha një qytetar.
“Unë i kam blerë nënës dhuratë.”, – tha një qytetar tjetër.
“Unë i kam blerë lule zonjës sime.”, – u shpreh një qytetar.
“8 Marsi – Dita e grave. Jo, s’i kam blerë asgjë, jemi hidhëruar.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
“Gruas, nënës dhe të gjitha grave në familje u dhuroj lule për 8 Mars.”, – tha një qytetar.
8 Marsi njihet si “Dita e Grave”, në të gjithë botën, përkujton lëvizjen për të drejtat e grave. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe dhe drejtësi.