8 gra shqiptare në përbërjen e re parlamentare, Kasami: Ligji detyron partitë politike të kenë gra në lista
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vendit, nga 120 ulëset e përbërjes së re parlamentare, 41 i takojnë grave, duke përfshirë 8 gra nga 32 deputetë të dy koalicioneve shqiptare.
Falë dispozitave ligjore të cilat i ka shteti për përfaqësimin e grave në listat zgjedhore, që obligon partitë politike në çdo tre vende të propozoj gra, jep një pasqyrë të mirëqenë thotë analistja Pranvera Kasami, nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike.
Shton se marrë parasysh cilësinë e profileve të kandidatëve për deputet, gjegjësisht grave,si dhe përvojën e mëhershme mbetet akoma për tu diskutuar.
“Për fat të keq nuk kemi parë ndonjë ndikim, influencë apo pozicionim të grave për atë që ato supozohet që duhet të jenë dhe të përfaqësojnë, si përfaqësuse të popullit, si mandatare për ta përfaqësuar mendimin e një kolektivi apo komuniteti më të gjërë. Gratë i kemi parë në parlament, për fat të keq shumë pak aktive, ato që kanë qenë deri më tani. Dhe duke u nis nga ajo që disa prej emrave po përsëriten, veçmë do të jenë të zgjedhurat e popullit për të na përfaqësuar në parlament, me plot të drejtë mund të them që le shumë për tu dëshiruar. Këto gra duhet ta marrin pak më seriozisht dhe jo vetëm ta marrin si të mirëqenë faktin ashtu si edhe imponohet prej mendësisë më të gjërë se ato duhet të jenë aty vetëm se janë gra dhe se duhet ta përmbushin atë 30 %-shin imperativin ligjor.” – tha Pranvera Kasami, nga Institutit për Lidership dhe Politika Publike.
Në lidhje me përmbajtjen e programeve që ofruan partitë politike gjatë fushatës parazgjedhore, në veçanti në segmentin e barazisë gjinore, Kasami thotë me keqardhje se, njëlloj si në të kaluarën nuk ka pasur ndonjë zhvillim në konotacion pozitiv.
“Fatkeqësiht si edhe herave të tjera nuk kishte ndonjë zhvillim në konotacion pozitiv të programeve politike parazgjedhore, ato me të cilat kemi disponuar në këto zgjedhje. Sigurisht që i kam shfletuar dhe nuk është që kam hasur apo impresionuar nga sa përmenden gratë ose sa përmenden politikat për barazi gjinore në këto programe. Sa për sy e faqe është përmendur ndonjë gjë por jo që këto pasojnë edhe me programe apo plane aksionale shumë konkrete që të bëjnë të besosh që vërtetë politikat gjinore do të avancohen ose do të zhvillohen krahasuar me të kaluarën.” – deklaroi Pranvera Kasami, nga Institutit për Lidership dhe Politika Publike.
Edhe pse partitë arsyetohen me shumë probleme prioritare prap se prap duhet që përfqësimi i denjë i grave në politikë dhe jetën publike të jetë një nga prioritetet sa edhe segmentet tjera.
Ndryshe, gara politike shënoi edhe një moment historik me zgjedhjen e Gordanës Siljanovska Davkova si presidente, e cila u bë gruaja e parë që merr këtë post që nga shpallja e pavarësisë së shtetit, duke marrë një mbështetje të fortë nga qytetarët në zgjedhjet presidenciale./TVM2