Maqedoni

7 Marsi – Dita e mësuesit festohet në trevat shqiptare

Me aktivitete të shumta në të gjitha trojet shqiptare, përfshirë edhe shkollat me mësim në gjuhën shqipe, në vend po shënohet sot 7 Marsi – Dita e mësuesit.

Në të gjitha trevat shqiptare festohet 7 Marsi – Dita e mësuesit. Një festë e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve, në Korçë më 7 mars 1887 u hap mësonjëtorja e parë e shkollës laike shqipe.

Që nga ajo ditë, 7 marsi festohet në të gjitha trevat shqiptare si dita e mësuesit, për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.
Mësuesit e shkollës fillore “25 Maj” theksojnë se mësuesi nuk është thjeshtë një mësimdhënës, por gjithashtu luan një rol të rëndësishëm edhe në edukimin e nxënësve.

“Po mendoj që nuk e kemi gjetur ende atë mesin e artë që ta mirëkuptojmë këtë raport sepse në të shumtën e rasteve po keqpërdoret. Në kohët më të lashta ka qenë sikur një pengesë raporti i stepur me arsimtarët, por tash duhet të jetë shumë më frymëzuese, më motivuese. Unë në masë të madhe u flas nxënësve, u tregoj shembuj se si kemi qenë ne më parë, çfarë arsimtarë kemi pasur, sa kemi pasur hapësirë, disiplina ka qenë në nivel maksimal, mirëpo sot në aspektin disiplinor është një shtrirje më e gjerë e relaksit. Duhet t’i japim më shumë hapësirë bashkëpunimit, jo vetëm të jetë një liri e pakontrolluar. Roli i mësimdhënësit nuk është vetëm të ligjërojë, por të edukojë dhe të zëvendësojë rolin e prindit në shtëpi.”, – deklaroi mësuesi në shkollën fillore “25 Maji”, Ramadan Osmani.

“Jo vetëm arsimim, jo vetëm edukim, por edhe më tepër se kaq, një mësimdhënës i mirëfilltë, d.m.th. një krah i fuqishëm i cilit do brez. Përskaj një mësuesi duhet të jemi gjithnjë syçelë të përgjegjshëm, secili në profesionin e vet, në detyrën e tij që e ka, sepse ne mbajmë përgjegjësinë më të madhe.”, – theksoi profesori, Naser Miftari, për TVM2.

Nxënësit e shkollave fillore për hir të ditës së mësuesit, 7 Marsi, kishin përgatitur drama, recitale dhe kënga për mësuesit e tyre.