Maqedoni

Shtëpia e pensionistëve në Çair, sot mbeti pa ngrohje

Sezoni i ngrohjes në Shkup filloi me probleme të vogla. Në disa zona të kryeqytetit, pjesërisht amvisëritë mbetën pa ngrohje shkaku i defekteve brenda shtëpive apo banesave të tyre. Por, pati telashe edhe në sistem. Në zonën e Ngrohtores Shkup-Veri, Shtëpia e pensionistëve në Çair, të hënën mbeti pa ngrohje.

“Sezoni i ngrohjes filloi në Shkup, por jo edhe në Shtëpinë e pensionistëve në Çair, ku shkak u bë ndërprerja e furnizimit me energji termike nga një objekt, i cili po ngritët prapa godinës së pensionistëve. Por, autoritetet thonë se problemi do të sanohet brenda ditës”

Kjo pensioniste tregon se poshtë oborrit të saj është gërryer bodrumi i atij pallati dhe rrezikon shembje.
Ajo tregon se si ekskavatorët kanë prerë gypat e furnizimit me ngrohje dhe kanë shkaktuar çarje të mureve.

“Ne jemi nga Veriu është ftohtë nëpër banesa, katastrofë! Si ngroheni? Me një kalorifer aq! A përdorni më tepër qebe? Po, mbulohemi me më shumë qebe, dy a tri e kemi patjetër edhe jorganë, çfarëdo qoftë! Jemi të moshuar dhe na vjen më shumë ftohtë se edhe gjaku nuk na qarkullon si duhet.”

Ky i moshuar tregon se radiatorët janë të ftohtë dhe se ky problem nuk u shkaktua dje. Por, ata nuk e prishin rutinën e ditës duke lozur shah dhe karta. Kërkojnë që ky problem mos të lihet në harresë.

“Se çfarë problemi ka nuk e di, veç nuk ka. Ti i pa edhe vet gypat qe nuk kanë, a u vërtetove! Tani është vështirë se koha ka nis të ftohet dhe s’kanë tjetër. Unë përdori kaloriferë se e mbaj klubin, por ata që janë vetëm me ngrohje qendrore nuk e di se si ia dalin.”

Nga Ngrohtorja Shkup-Veri thonë se janë duke sanuar problemin që energjia termike të arrij në adresë.
Në këtë shtëpi të pensionistëve janë të akomoduar 48 persona, të cilët paguajnë 20 euro qira banimi. Por, ju privohet e drejta e ngrohjes qendrore sipas udhëheqësit nga një defekt teknik prapa godinës.

“Kishte një defekt, po ndërtohet një pallat afër nesh këtu, por i kanë ndërprerë edhe punimet sepse qenka pa leje ndërtimi. Nga Komuna e Çairit thonë se janë njoftuar nga mediumet dhe nuk e dinë se kush është investitorë, është shumë qesharake. Ata i kanë prishur gypat dhe pati ndërprerje! Më informuan para një ore se janë duke punuar në sanim dhe sigurisht që do të na lajmërojnë a i kanë kryer punimet”, deklaroi Nevaip Ramadani, Udhëheqës i Shtëpisë së Pensionistëve në Çair.

Ndonëse denoncime për defekte ka pasur edhe në Kisella Vodë dhe zona të tjera, nga EMV thonë se sezoni ngrohjes qendrore ka nisur pa probleme të mëdha. Ata u bënë thirrje edhe qytetarëve që të heqin defektet e instalimit të brendshëm të ngrohjes, ta denoncojnë në Qendrën e Kujdesit për Konsumatorin. Qytetarët morën ngrohje me çmimin e vjetër. Për momentin, Komisioni Rregullator i Energjetikës nuk merr vendim për çmimin e ri, derisa të vendoset tubacioni i ri i ngrohjes përgjatë urës “Belasica”, për të cilin qyteti i Shkupit dhe EVM po luftojnë me muaj të tërë. Mbi 60,000 amvisëri përdorin ngrohjen e qytetit, shumica e lidhur me EMV-në, dikur BEG, ndërsa më pak të lidhura ka në Ngrohtoren Shkup-Veri.