Maqedoni

55 milionë euro para të zeza përfundojnë në Maqedoni/ Aksione edhe në Shkup

Pas bastisjes që kreu policia në dy lokacione në Shkup, te një person juridik dhe një fizik, janë gjetur dhe janë konfiskuar para, dokumente personale, karikatorë të zbrazët të armëve, celularë dhe pajisje kompjutertike që janë përdorur për kryerjen e një vepre penale. Bastisja është bërë për shkak të dyshimit për veprën penale “organizim pa licencë i lojërave të fatit”.

“Gjatë bastisjes tek personi juridik janë gjetur 17 persona të cilët kanë punuar si operatorë për komunikim me lojtarët të cilëve u ofrohen baste sportive dhe lloje të tjera bastesh, si dhe lojëra të tjera të fatit. Gjithashtu janë gjetur dhe janë marrë edhe 103.545 euro, 400 dollarë dhe 100 funta, dokumente personale, karikatorë të zbrazët të armëve, telefona celularë dhe pajisje kompjuterike të përdorura për të kryer vepra penale.”- thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Aksioni në fjalë vijoi pas goditjes së mafies së basteve “Totobo” në Stamboll, e cila shtrihej nga Gjermania deri në Turqi, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. MPB-ja dhe PPTh-ja pa përgjigje konkrete – nëse aksioni i kryer në Shkup ka lidhje me atë në Turqi. Bastisjet janë kryer nga Byroja për Sigurisë Publike, Sektori i krimit kompjuterik dhe forenzikës digjitale në bashkëpunim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Urdhrin dhe udhëzimet për bastisje janë dhënë nga Prokuroria Themelore-Shkup, prej ku thonë se deri tani nuk i ka kontaktuar askush nga Turqia.

“Deri në këtë moment deri te Prokuroria Publike nuk ka mbërritur asnjë njoftim nga organet kompetente ose kërkesë lidhur me aksionin në Republikën e Turqisë. Prokuroria vepron në procedurë parahetimore që ka të bëjë me veprën penale – organizim pa licencë i lojërave të fatit. Në kuadër të kësaj procedure, më 8 gusht janë kryer bastisje në dy lokacione. Janë konfiskuar pajisje kompjuterike, dokumentacion dhe të holla. Deri në këtë moment nuk është konfirmuar se kjo ngjarje ka ndonjë lidhshmëri me rrjetin e paligjshëm të basteve që u zbulua në Republikën e Turqisë.”- thonë nga Prokuroria Publike Themelore.

Sipas informacioneve të gazetës turke “Milijet”, në kuadër të aksionit në Turqi janë arrestuar 59 anëtarë të mafias, e cila ka përfituar 55 milionë euro. Operacionet ilegale të basteve i ka kryer në Turqi, Gjermani dhe Maqedoni. Policia për 8 muaj me radhë ka ndjekur operacionin. Pasi janë ndjekur xhirollogaritë e pjesëtarëve të grupit, është konstatuar se 1 miliard euro janë transferuar në Maqedoni në formë kriptovalutash. Me qëllim që Banka Qendrore mos t’i ndjekë këto të holla, janë bërë transaksione prej nga 10-15 mijë dollarëve. Paratë janë grumbulluar në një xhirollogari, pas çka janë kthyer në kriptovaluta dhe janë transferuar në Maqedoni, ka shkruar “Milijet”.