Mjekja e parë shqiptare në Australi: “Falenderoj prindërit që më mësuan gjuhën shqipe”
Anida Hanxhiu është diplomuar për mjekësi në Sindey të Australisë, duke u bërë kështu mjekja e parë shqiptare në Sidney. Anida edhe pse e vogël i ka përjetuar sakrificat e prindërve në vitet e para të emigrimit, ndaj ajo u përkushtua që të studionte dhe të bëhej dikushi në jetë. Në një intervistë për “Diaspora Shqiptare”, Anida Hanxhiu tregon se në fillim ishte e vështirë të flas gjuhën shqipe, por sot ajo falenderon prindërit për durimin dhe përkushtimin për t’i mësur gjuhën amtare.
Kur familja juaj emigroi në Australi, ju ishit vetëm katër vjeç. Keni ndonjë kujtim nga zhvendosja?
Kur erdha në Australi me familjen time, kam qenë shumë e vogël, nuk mbaj mend shumë. Kisha kujtime të vogla se kur isha më e vogël siç ishte kopshti i trëndafilave të gjyshit tim, por jo më shumë. Më kujtohet kur kemi hipur në aeroplan për të ardhur në Australi. E kam kuptuar që diçka nuk është në rregull, por nuk e kuptoja që ishte luftë.
Pse prindërit zgjodhën pikërisht Australinë?
Prindërit e mi ishin të tmerruar për sigurinë tonë, kishin tre fëmijë shumë të vegjël, më i vogli ka qenë 9 muaj. Ne ishim me fat që morëm leje për të udhëtuar në Australi.
Keni mbaruar shkollën me rezultate shumë të larta, sa krenare ndiheshit ju dhe familja juaj?
Unë i kam kuptuar shumë shpejt sakrificat që prindërit e mi bënë për të garantuar sigurinë tonë. Nuk doja të humbisja mundësinë e mahnitshme që kam pas. Unë isha shumë me fat që isha në gjendje të studioja në Australi. Prindërit e mi gjithmonë e kanë vlerësuar edukimin dhe na këshilluan të përdorim njohuritë tona për të mirën e të tjerëve. Gjithmonë kam qenë e interesuar në mjekësi dhe nuk mund ta shihja veten në një profesion tjetër. Falenderoj Zotin dhe familjen për mbështetje, nuk mund ta kisha bërë vetëm.
Në intervista të tjera me fëmijë të rritur në Diasporë, thonë se prindërit këmbëngulin shumë që fëmijët të mësojnë, për t’i treguar vlerat vendit ku jetojnë, ndodhte kjo edhe me prindërit tuaj?
Prindërit e mi gjithmonë na treguan histori të jetës së tyre në Kosovë. Kanë pasur qejf me këndu këngë shqipe nëpër shtëpi dhe do të dëshironin shumë të luanin instrumente shqiptare të cilat i mbaj mend si fëmijë. Ne edhe ishim me fat që jemi kthyer në Kosovë shpesh kur ishim të vegjël. I kemi vizituar shkollat e prindërve dhe kemi pasur fatin të takojmë miqtë e tyre. Ne mezi prisnim të shihnim kushërinjtë tanë në Kosovë.
Gjuhën shqipe e keni mësuar nga prindërit?
Prej moshës shumë të re, prindërit tanë na mësuan shqip dhe na inkurajuan që të vazhdojmë të flasim në shtëpi që të mos harrojmë. Ishte e vështirë ndonjëherë, sepse ne gjithmonë flasim anglisht në shkollë. Tani që jemi më të rritur, i falënderoj për të gjitha përpjekjet e tyre, sepse të gjithë flasim shqip.
Ju jeni mjekja e parë shqiptare në Sidney?
Unë u diplomova për Mjekësi në Universitetin “New South Wales, Sydney, Australia”. Unë isha e vetmja shqiptare në Universitetin tim me 10,000 studentë. Unë jam e para që kam mbaruar studimet për Mjekësi në komunitetin shqiptar në Sidnei.
Cili është specializimi që keni zgjedhur?
Unë jam duke punuar për të specializuar në Endokrinologji. Më pëlqen specialiteti dhe e shoh shumë interesante. Më lejon të praktikoj aspekte të ndryshme të mjekësisë.
Për bluzat e bardha ky vit ka qenë i vështirë. Po për ju si ka ndikuar situata pandemike?
Pandemia ka qenë e vështirë për të gjithë. Nga një perspektivë mjekësore, na është dashur të punojmë së bashku për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e pacientëve tanë. Spitali për të cilin kam punuar ishte ndryshuar plotësisht, kështu që ne ishim gati për pandeminë. Të gjithë mjekët në spital duhej të ndryshonin ndërrimet e tyre. Ne duhej të përforconim procedurat tona të kontrollit të infeksionit dhe të siguroheshim që të gjithë ishin të sigurt.