Skandali me pasaportat, pjesë e raportit të BE-së për Maqedoninë
Bashkimi Evropian është thellësisht i shqetësuar nga skandali me “pasaportat e bosëve” thonë eurodeputetët Ilhan Kyçyk dhe Andrea Shider. Sipas tyre, skandali do të evidentohet në raportet e ardhshme të institucioneve të BE-së, por nuk do t’i shkaktojë vendit sanksione të tipit të kthimit të regjimit të vizave me zonën Shengen.
Ne jemi aleatë, miq dhe nuk do ta sanksionojmë Maqedoninë e Veriut, sepse mirëkuptimi evropian është se problemet duhet t’i zgjidhim bashkërisht, duke folur e duke i dhënë njëri-tjetrit këshilla nga përvoja. Nevojiten reforma më të thella. Nuk do ta sanksionojmë Maqedoninë e Veriut, nuk jemi diktaturë, jemi Union i bazuar në vlera, prandaj na duhet të reflektohen vlerat evropiane. Zhvillimet e fundit do të reflektohen në dosjen e Komisionit dhe Parlamentit Evropian dhe sigurisht do të ndiqen me siguri nga të dy institucionet”, tha Ilhan Kyçyk, euro-deputet.
Kjo çështje lidhet me reformat e domosdoshme për ta luftuar korrupsionin. Është serioze kur ka mbi 200 pasaporta të rreme përreth. Ka një debat serioz të brendshëm në Maqedoninë e Veriut, nëse publikimi e ka sabotuar zbardhjen e rastit. Kjo duhet të definohet në Maqedoninë e Veriut. Por ajo që po duket është se ka aktivitet kundër krimit dhe korrupsionit por ka poashtu edhe krim, që e bën të qartë se vendi duhet të merr masa shtesë. Nuk pres ndonjë ndikim në integrimin evropian”, pohoi Andrea Shider, euro-deputet.
Raportuesit për Maqedoninë e Veriut në PE theksuan nevojën për qasje pragmatike në zgjidhjen e kontestit mes Shkupit e Sofjes.
Çështjet dypalëshe duhet zgjidhur në mënyrë dypalëshe. Na duhen shembuj pozitivë, narrativë të mirë, na duhet t’i japim më shumë mundësi rajonit. Mundësi të tilla ka, në planin ekonomik dhe investues. Nuk shoh nevojë për gjuhë të urrejtjes, por për debat konstruktiv. Edhepse është vështirë të zgjidhen konteste të komplikuara për kohë të shkurtër, shoh optimizëm”, theksoi Ilhan Kyçyk, euro-deputet.
Kam një rekomandim. Teksa komisioni i historisë ka ngecur dhe Marrëveshja për fqinjësi thuajse nuk po funksionon dhe ka ngecur shkaku i proceseve politike, mbase duhet të gjejmë 2-3 historianë të rangut të lartë, që do ta udhëhiqnin një debat të vërtetë historik, pa asnjë dimension të brendshëm politik”, deklaroi Andrea Shider, euro deputet.
Në një takim online me gazetarë, ata shprehën qëndrime të ndryshme rreth përballjes së vendit me pandeminë. Shider fajin për vaksinimin e ngadaltë të popullsisë së Maqedonisë së Veriut ia hedh BE-së, por Kyçyk tha se BE-ja ka qenë solidare me vendin ashtu si me gjitha vendet tjera të rajonit.