Maqedoni

35 vite nga demostratat për shkollim në gjuhën shqipe në Kumanovë, Lulzim Zulfiu kujton arrestimin dhe rrëqeth me rrëfimin

29 gusht-Lulzim Zulfiu nga Çerkezi i Kumanovës ishte pjesë e demonstratave për shkollim në gjuhën shqipe në sistemin ish-jugosllavë në Kumanovë më 29 gusht të vitit 1988. Ai ka heshtur gjithë këtë kohë për arrestimin e tij dhe sot ka vëndosur të flasë për Open-TV.

Lulzimi, në atë kohë 19-vjeçar, ka rrëfyer momentin e arrestimit që sipas tij ishte i tmerrshëm.

“Atë ditë, më 29 gusht 1988 ndodhën demonstratat në Kumanovë. Unë së bashku me shokun tim Nuredin Xhemailin ishim ndër organizatorët e parë, ne vinim nga Prishtina, sepse edhe atje bënim organizime. Mua më kanë arrestuar pasdite, aty nga ora 5 te dera e pazarit të gjelbërt në Kumanovë. Bashkë me mua janë arrestuar edhe Shenasi Hamziu dhe një djal i ri nën moshën 16 vjeçare. Ka qenë Elmi polici me disa policë të tjerë që na morën dhe na dërguan në stacionin policor. ‘Nurën’ dhe disa shokë i kishin zënë policia më herët. Kur më pa Nura më tha: A edhe ti erdhe këtu a? Në burg na kanë rrahur deri në alivanosje. 12 orë e kemi mbajtur fytyrën nga muri. Na kanë futur në qeli. Kërkonim ujë, por nuk na jepnin me pi.

Të nesërmen në mëngjes erdhi ndërrimi tjetër, edhe ata na kanë rrahur dhe torturuar. Nga rrahja e madhe unë e kisha humb vetëdijën. Një inspektor me emrin Pivovarov më ka malltretuar shumë. Më detyronte të them e dua shkollën.
Në atë moment ka ardhur aga Destan, i cili reagoi ashpër. U fjalosën rëndë me Pivovarovin. E falënderoj Destan Demirin që më pati dal në ndihmë. Katër ditë në kanë mbajtur në Kumanovë”, kujton tmerrin e asaj kohe Lulzim Zulfiu për të vazhduar:

“Nga Kumanova na transferuan në Shtip, mua, Nuredinin, Shenasiun, arsimtarin e matematikës, Milaim, Muzaferin dhe plotë të tjerë. Këto po mund t’i mbaj në mend, ka pasur edhe të tjerë. Edhe atje na kanë rrahur shumë. Unë dhe Nura nuk kemi dal jashtë burgut, sepse ishim të rrahur shumë. Vizitën e parë e kemi pas pas një muaj e gjysmë. Më kujtohet pati ardhur babai im, tashmë i ndjerë. Nuk na lejonin të flasim shqip, vetëm maqedonishtë. Me prindin tim vetëm u përshëndetëm në gjuhën maqedonase, në mënyrë që gardiajnët ta kuptojmë cka po flasim. Na thanë vetëm 10 minuta keni kohë të qëndroni bashkë”, kujton Lulzim Zulfiu, i cili ua zë për të madhe partive politike që nuk e kujtojnë këtë ditë që ishte një lloj lëvizje popullore për arsimin shqip në Kumanovë. (Open-TV)