33 vjeçari pa shkollë të mjekësisë punonte si mjek, ndërhyn Policia në Strugë
Policia kontrollon të gjithë dokumentacionin dhe vulat e përdorura nga mjeku në Vevçan, i cili ka punuar pa diplomë, shkruan Alsat.
Ndonëse për momentin nuk dihen detaje, sipas burimeve policore, priten udhëzime të mëtejshme nga Prokuroria Publike, e cila tashmë është e njoftuar me të gjithë rastin.
“Për ngjarjen është njoftuar PTHP Strugë. Po kryhen kontrolle dhe po sigurohet dokumentacioni për verifikimin e pretendimeve”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Vevçan, Jovan Stojkoski, tha për Alsat se mjeku nuk punon më në objekt. Ai nuk ka dashur të komentojë asgjë deri në përfundimin e hetimeve.
“Mjeku fillimisht është pezulluar përkohësisht nga puna. Me kërkesën e tij ka kërkuar edhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës”, tha Jovan Stojkoski-drejtor i Shtëpisë së Shëndetit Vevçan.
Mjeku i padiplomuar ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë në Shtip. Për momentin është e paqartë se si e ka gjetur vendin e punës, sepse për këtë kërkohet certifikata e diplomimit, provimi shtetëror dhe licenca e punës e lëshuar nga Oda e Mjekëve.
Ish-inspektori i arsimit, Gjorgi Ilievski, thotë se kjo tregon dobësinë e institucioneve.
“Kjo nuk është vetëm tronditëse, ajo që po ndodh me të është goditje e madhe për vendin tonë, Maqedoninë…”, tha Gjorgi Ilievski, ish-inspektor shtetëror i arsimit.
Ndryshe, Shtëpia e Shëndetit në Vevçan mbulon territor të madh të rajonit të Strugës./ Alsat.mk