Maqedoni

28 Nëtori, Ganiu nga Tirana: Flamuri ynë, mbetet simboli që na bashkon dhe frymëzimi ynë i përhershëm

Shkruan: Visar Ganiu

Me rastin e Festës së Flamurit dhe Pavarësisë, pata kënaqësinë të marr pjesë sonte në një aktivitet të organizuar në Tiranë, ku u mirëprita ngrohtësisht nga kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht kryetari i Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon, z. Erion Veliaj, si dhe nga drejtoresha e Unionit, znj. Adriola Kambo. Ishte një pritje e veçantë, që reflektonte vlerat e bashkëpunimit dhe unitetit kombëtar.
Flamuri ynë, qoftë në Shkup, Tiranë apo Prishtinë, mbetet simboli që na bashkon dhe përfaqëson luftën për liri dhe pavarësi. Ky aktivitet na kujtoi se, pavarësisht vendit ku jetojmë, ne jemi pjesë e një kombi me histori të lavdishme dhe aspirata të përbashkëta.
Gjatë mbrëmjes u theksua rëndësia e Unionit të Bashkive Shqiptare, që promovon bashkëpunimin mes komunave shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Preshevë. Ky bashkëpunim na ndihmon të përballojmë sfidat e përbashkëta dhe të ndërtojmë një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të fortë për qytetarët tanë.
Flamuri ynë mbetet frymëzimi ynë i përhershëm. Urime Ditën e Flamurit Kombëtar! Shqipëri qofsh e rrofsh sa të jetë jeta!