Ramazani 2021

Vlera e Natës së Beratit, çka duhet të bëjmë në këtë natë të madhe!

N jë veçori e rëndësishme e muajit Sha’ban është se këtu ndodhet një natë që në Sheriat quhet ‘Lejletul – beraa’h’ (Nata e lirimit nga zjarri). Kjo natë gjendet midis datës 14 dhe 15 të Shabanit. Ekzistojnë hadithe të besueshme të Pejgamberit të Allahut, që dëshmojnë se kjo natë është e vlefshme në të cilën njerëzit në tokë përfshihen nga mëshira e veçantë Hyjnore. Më poshtë i kemi cekur disa prej këtyre haditheve:

1. Është transmetuar se Umul Mu’mininë, Aishja r.a. ka thënë: “Njëherë Pejgamberi i Allahut fali namaz të natës (Tehexhud) dhe qëndroi aq gjatë në sexhde sa u frikësova se ka vdekur. Kur e pashë këtë, u ngrita (nga shtrati) dhe ia lëviza gishtin e tij të madh(të sigurohem se a është i gjallë). Kur gishti lëvizi, atëherë u ktheva (në vendin tim). Më pas e dëgjova duke thënë në sexhde: ‘Nga falja Jote kërkoj mbrojtje prej dënimit Tënd, dhe nga kënaqësia Jote kërkoj mbrojtje nga zemërimi Yt, si dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga Ti. Nuk mundem të të lartësoj ashtu sikurse Ti e meriton. Ti je pikërisht ashtu siç e ke karakterizaur Veten.’ Pastaj kur e ngriti kokën nga sexhdeja dhe e mbaroi namazin, më tha: “Oj Aishe, a mendon se Pejgamberi të ka mashtruar?’ I thash: ‘Jo, o Pejgamber i Allahut, mirëpo u frikësova se shpirti yt ka shkuar për shkak të sexhdesë së gjatë.’ Më pyeti: ‘A e di se çfarë natë është kjo?’ i thash: ‘Allahu dhe Pejgamberi i Tij e dinë më së miri.’ Ai tha: ‘Kjo natë është mesi i muajit Shaban. Në këtë natë Allahu i Plotfuqishëm shikon tek robërit e Tij dhe i falë ata që kërkojnë falje dhe lëshon mëshirë mbi ata të cilët luten për mëshirë mirëpo i lë edhe ata që kanë urrejtje (kundër muslimanëve) ashtu sikurse kanë qenë më parë, (dhe nuk i fal ata derisa të çlirohen nga mëria (inati).’’

2. Në një hadith tjetër Sejideh Aishja r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Allahu i Gjithëfuqishëm zbret (në mënyrën më të mirë që Ai e di) në natën e mesme të muajit Shaban dhe fal një numër të madh të njerëzve, që është më i madh se numri i qimeve të dhenve të fisit Kelb.’’

Kelb ishte një fis i madh anëtarët e të cilit kishin një numër të madh të dhenve. Prandaj, fjalia e fundit e hadithit tregon numrin e madh të njerëzve të cilëve u falen mëkatet në këtë natë nga Allahu i Plotfuqishëm.

3. Po ashtu në një hadith tjetër, ajo transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kjo është nata e mesme e muajit Shaban. Në këtë natë, Allahu liron një numër të madh të njerëzve nga Zjarri, që janë më shumë se fijet e leshit të deleve të fisit Kalb. Mirëpo ai nuk i shikon ata njerëz të cilët i përshkruajnë shok Atij, apo tek ai i cili ushqen inat (ligësi) në zemrën e tij (ndaj dikujt), apo atë njeri i cili i shkëput lidhjet familjare, apo atë njeri i cili e zgjat teshat nën zogun e këmbës (si shenjë kryelartësie), apo atë njeri i cili nuk u bindet prindërve të vet, apo atë njeri i cili ka shprehi të pijë verë.’’

4. Sejidna Muadh bin Xhebeli r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Në natën e mesme të muajit Shaban, Allahu i Lartësuar shikon mbi të gjithë krijesat e Tij dhe i fal të gjithë ata që i ka krijuar, pos atij i cili i përshkruan shok Atij apo ai i cili ka urrejtje në zemër (ndaj muslimanit).’’

Edhe pse zinxhiri i transmetuesve të disa prej këtyre haditheve kanë ca defekte teknike të vogla, në qëoftë se bashkohen të gjitha këto hadithe, bëhet e qartë se kjo natë ka disa merita me baza të shëndosha, si dhe ta konsiderosh këtë si natë të shenjtë nuk është ndonjë shpikje e pabazë siç e kanë marrë në sy disa dijetarë modern të cilët, bazuar në këto defekte të vogla, plotësisht e kanë mohuar t’i japin rëndësi të veçantë kësaj nate. Në fakt, disa dijetarë të hadithit këto hadithe i kanë konsideruar si autentike dhe gabimet në zinxhirin e disa të tjerëve i kanë trajtuar si gabime të vogla teknike të cilat, sipas shkencës së hadithit, janë të mjekueshme me anë të mënyrës së tyre të ndryshme të transmetimit. Për këtë shkak më të vjetrit e ummetit në mënyrë të paanshme e kanë parë këtë natë si natë me merita të veçanta dhe e kanë kaluar në adhurim dhe namaze.

Çka duhet bërë në këtë Natë?

Për t’u zbatuar Nata e Beratit, duhet të qëndrojmë zgjuar në këtë natë sa më shumë të mundemi. Nëse dikush ka mundësi më shumë, ai mund ta kalojë tërë natën në namaz dhe adhurim. Megjithatë, nëse nuk mund ta bëjnë këtë për ndonjë arsye apo diçka tjetër, mund ta zgjedhë një pjesë të natës, dhe më e preferuar është pjesa e dytë e saj dhe t’i kryejë këto adhurime:

(a) Namaz. Namazi është vepra më e preferuar në këtë natë. Nuk ka numër të caktuar të rekateve, por e preferuar është të mos jenë më pak se tetë. Po ashtu këshillohet që në secilën pjesë të namazit, siç është kijami, rukuja dhe sexhdeja, të jenë më të gjata sesa normalja. Në namaz të lexohen suret më të gjata të Kuranit që i di përmendësh. Nëse dikush nuk di ndonjë sure të gjatë, ai mundet të lexojë sure të shkurta në një rekat.

(b) Tilave. Leximi i Kuranit është një formë tjetër e adhurimit, shumë e dobishme në këtë natë. Pas kryerjes së namazit, apo në ndonjë kohë tjetër, duhet të lexohet Kuran sa më shumë të mundet.

(c) Dhikri. Po ashtu në këtë natë duhet të bëhet dhikri (përmendja e Allahut). Dhikri i mëposhtëm është shumë i dobishëm: Mund të thuhet salevat (duruud) mbi Pejgamberin e Allahut, sa më shumë të mundet. Dhikri po ashtu mund të thuhet duke ecur, duke qenë shtrirë apo gjatë orëve të punës apo kohës së lirë.

(d) Duaja. Dobia më e mirë që njeriu mund ta fitojë nga të mirat e kësaj nate janë namazet dhe lutjet. Shpresohet se në këtë natë pranohen të gjitha lutjet nga Zoti ynë, inshaAllah. Lutja është një lloj ibadeti, dhe Allahu i Lartësuar shpërblen për secilën lutje bashkë me plotësimin e kërkesës së lutësit. Edhe nëse nuk e ka arritur atë për të cilën është lutur, ai nuk do të privohet nga shpërblimi i lutjes që nganjëherë është më e vlefshme sesa të mirat e kësaj bote për të cilat përpiqemi. Namazet dhe lutjet gjithashtu e forcojnë lidhjen e njeriut me Allahun e Plotfuqishëm, çka është qëllimi kryesor i të gjitha llojeve të adhurimit.

Secili mund të lutet çka të dojë, mirëpo lutjet më të mira janë ato të bëra nga Pejgamberi s.a.v.s.. Ato po ashtu janë gjithëpërfshirëse dhe i përmbledhin të gjitha nevojat e njeriut, si të kësaj bote po ashtu edhe të Ahiretit, si dhe janë të shprehura me elokuencë. Në fakt, të gjitha lutjet profetike janë aq të thella sa imagjinata njerëzore vështirë mund ta arrijë madhështinë e tyre.

Këto lutje profetike mund t’i gjeni në shumë libra në gjuhë të ndryshme, dhe luteni Allahun e Lartësuar sipas tyre, qoftë duke i thënë në tekstin origjinal të gjuhës arabe ose duke i përkthyer ato në gjuhën tuaj.