Maqedoni

21 viktima të dhunës seksuale për tre muaj në RMV, shumica të mitur! (Statistikë)

Për vetëm tre muaj, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 21 viktima të dhunës seksuale, bëjnë të ditur për Nistori nga Ministria e Punëve të Brendshme. Mes viktimave të cilat janë regjistruar nga janari deri në mars të këtij viti, janë 15 fëmijë të mitur, prej të cilëve një djalë nën moshën 14 vjeçare dhe 14 vajza.

“Në tre muajt e parë të këtij viti kemi ulje të numrit të veprave penale kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor, për 16%, në krahasim me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar. Gjegjësisht, janë regjistruar 21 vepra penale nga të cilat pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra janë zbardhur 81% të rasteve. Për të njëjtat janë ngritur 17 vepra penale ndaj 17 personave. Ndërsa për periudhën e njëjtë të vitit 2020, efikasiteti për zbardhjen e veprave është në 84%, gjegjësisht, për 25 vepra penale janë paditur 23 persona. Gjithashtu ju informojmë se në tre mujorin e parë të këtij viti në SPB – Tetovë nuk është regjistruar asnjë vepër penale kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor”, kumtojnë për Nistori nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Psikologët thonë se trauma e përdhunimit lë shumë pasoja. Në një prononcim për Nistori, Sema Halili, psikologe e licencuar për psikologjinë e shëndetit mental dhe psikoterapi, deklaron se përdhunimi është sulm i drejtpërdrejtë ndaj ndjenjës së sigurisë së një personi i cili sulmohet në një nga sferat më intime siç është seksualiteti dhe prodhon ndjenjë të pafuqisë për të shpëtuar ose shmangur agresionin.

“Pas një sulmi seksual ka shumë konfuzion dhe çorientim. Zakonisht shfaqen ndjenja të zemërimit dhe trishtimit të madh, shoqëruar me një frikë të madhe nga ajo që ka ndodhur. Turpi dhe faji janë emocione shumë të dhimbshme që janë të pamundura të shmangen në shumë raste dhe bëjnë që shqetësimi të rritet, edhe pse është shumë e qartë se një viktimë nuk është kurrë përgjegjëse për atë që ka ndodhur. Me kalimin e kohës, trauma mund të ndikojë në mungesën e përqëndrimit të përditshëm dhe aftësinë për të marrë vendime. Për shkak të traumës dhe frikës disa viktima shmangin marrëdhëniet seksuale, por ndodh që të tjerë të kalojnë në ekstremin tjetër dhe të vazhdojnë në mënyrë të heshtur të kenë marrëdhënie seksuale të detyrueshme dhe të pakontrolluara, sqaron Halili.

Përndryshe, sulmet seksuale radhiten ndër shkeljet më të rënda fizike, morale dhe emocionale.
/Nistori/