Kulturë

Ju në shumë varre keni shkelur edhe mbi plisa

UNË NUK JAM PAJTUAR KUR…

Unë nuk jam pajtuar kur në korijë keni prerë lisa
E në shumë varre keni shkelur edhe mbi plisa
Kur shumë djem e vajza pafaj i keni prangosur
E nëpër hapsane i rrihnit pasi i kishit burgosur.

Edhe gjakun çdokujt ia kishit shitur
O ju disa Laro e ca qenie shpirtprishur
Ju mundoi aq shumë në jetë e kohë sikleti
Për askënd tjetër nuk mendonit pos për veti.

Je mësuar të kullosësh nëpër livadhe
T`i presësh lisat e vjetër nëpër male
Të pasurohesh me djersën e huaj
E vetëm ai mulliri yt, gjithnjë të bluaj.

Fjala ime nuk del kurrë nga ca të tuat klika
As nuk zihet në kuzhinë aty ku zihet politika
Fjala ime është fjalë e një poeti rebel
Që nga thellësia e shpirtit poetik gjithnjë del.

Po kurrë fjalën time, or ti servil nuk mendoj
As edhe në ëndërr në censurë ty ta dorëzoj
Nuk ta dorëzoj ty jo, me ato të tuat klika
Se fjala ime nuk është si e jotja pa presje e pika.

Por një ditë do të i arritjë edhe kësaj fundi
Do mbeteni bërllog e hedhur që e barti lumi
Do mbeteni të hutuar ashtu si ai huti i çatisë
Duke shkuar thellë në plehun e historisë.
Nehat Jahiu