15 ditë nga tragjedia asnjë i dyshuar, VMRO akuzon pushtetin LSDM-BDI
Mbushen dy javë nga tragjedia, e pa përsëritshme në Bullgari, ku humbën 45 jetë dhe mbetën 7 të lënduar. Që atëherë ende nuk kanë dalur shkaqet që e aksidentit dhe të zjarrit që mori flakë vetëm për disa sekonda. Hetimet po i kryen pala bullgare, por edhe nga prokuroria vendase kanë paralajmëruar që do të zhvillojnë hetime.
Për këtë reagoi sot edhe VMRO-ja opozitare. Përmes një komunikate dërguar mediave, ata thonë se kanë kaluar 15 ditë nga katastrofa e tmerrshme me autobusin e Besa Trans, ndërsa nga pushteti nuk ka as përgjigje dhe as përgjegjësi.
VMRO
“Pushteti LSDM dhe BDI heshtin se si është e mundur që pa licencë autobusi i Besa Transit ka udhëtuar mbi 140 herë në tura ndërkombëtare. Heshtin edhe për atë se si është e mundur që autobusi i kobshëm, aspak të mos ketë qenë i vendosur në sistemin e Doganës. Nuk ka përgjigje as për keqpërdorimin e tabelave të regjistrimit. MPB, Dogana, Inspektorati kompetent i transportit, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe një sërë institucionesh janë përgjegjëse për shumë lëshime dhe keqpërdorime, për shkak të të cilave ndodhi aksidenti”.
Njoftimet fillestare dhe të vetmet deri tani që janë kumtuar nga prokuroria bullgare, janë që personat që kanë ndërruar jetë, vdekja e tyre ishte si pasoj e ngufatjes nga tymi dhe jo nga zjarri. Po ashtu besojnë se shkaku të jetë faktori njeri.
Përndryshe, kufomat nga Bullgaria në vendin tonë erdhën dhjetë ditë pas aksidentit, ndërsa të premten dhe të shtunën, në vendlindje nga familjarët dhe miqtë u bë varrimi i tyre. Edhe 7 personat që i shpëtuan kësaj tragjedie, për disa ditë ishin në spitalin e Sofje, pas çka u sollën në vend./