13 të vdekur dhe 1.901 raste të reja me COVID-19 në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë njoftoi të martën (24 gusht)edhe për 13 viktima të reja nga koronavirusi i ri, i cili e shkakton sëmundjen COVID-19.
Sipas njoftimit,në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 1.901 raste të reja me koronavirus, bazuar në 10.848 mostra të testuara në laboratorët publikë dhe privatë.
Në 24 orët e fundit, 433 pacientë u shëruan nga koronavirusi, ndërsa raste aktive në Kosovë janë 21.922.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi të martën se janë 1016 pacientë të shtrirë në klinikat COVID-19 dhe spitalet e përgjithshme të vendit. Prej tyre, 902 janë të konfirmuar me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Sa i takon trajtimit, SHSKUK njofton se 797 pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi ndërsa 37 janë në gjendje të rënduar shëndetësore.
Institucionet qeveritare, javën e kaluar, kanë marrë masa shtesë kufizimi mirëpo situata epidemiologjike vazhdon të jetë e rënduar.
Mjekët bëjnë thirrje për vaksinim pasi, sipas tyre, që prej nisjes së fushatës së imunizimit, asnjë person i vaksinuar në Kosovë nuk ka vdekur si pasojë e koronavirusit.
Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.
Vaksinimi i qytetarëve në Kosovë nisi në fund të marsit dhe aktualisht po përdoren dy vaksina për imunizim, ajo e kompanisë AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.
Vaksinimi i qytetarëve të Kosovë është esencial për shpëtimin e jetës së tyre dhe institucionet shëndetësore dhe qeveritare kompetente për shëndetësinë, duhet të jetë më agresive në fushatën për vaksinimin e qytetarëve, vlerëson epidemiologu Isuf Dedushaj.
Deri më 24 gusht, Kosova ka administruar mbi 720 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë 244.235 mijë persona. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.