Maqedoni

111-vjetori i lindjes së Nënë Terezës

Nënë Tereza është simboli i humanizmit të pafund, dashurisë për njeriun dhe kujdesit për të varfërit. Sot më 26 gusht, është 111 vjetori i lindjes i një prej njerëzve më bujar që ka njohur historia njerëzore, Nënë Tereza.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur nga e gjithë bota si Nënë Tereza ka lindur më 26 gusht të 1910 në Shkup, por me “shtëpi” në gjithë botën. Jetën ajo ua dedikoj të gjithë njerëzve që ishin në nevojë.

Nënë Tereza jetoi në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, më pas u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Shenjtorja themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar katoliko, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete. Ato ofronin shtëpi për njerëzit që ishin duke vdekur nga HIV/AIDS, lebëra dhe tuberkulozi.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe 1979 Çmimin “Nobel për Paqe”. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.

Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj (5 Shtator 1997), Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse.