Studentët në diell, funksionarët nën hije – gjenerata e parë mbaroi studimet pa objekt të Universitetit
Kjo është gjenerata e parë e Universitetit “Nënë Terezë” që mbaroi studimet.
Ky universitet ende nuk ka objekt të vetin, e për këtë shkak studentët u detyruan të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
Në mesditë kur temperaturat shënonin 32 gradë, studentët e prindërit ishin ulur në diell.
E hije kishte vetëm për politikanë, profesorë e funksionarë.
Këta studentë, studimet i kryen në dy objekte të ndryshme që nuk janë të Universitetit “Nënë Terezë”.
“Në cilin objekt i keni mbaruar studimet?
Tek objekti A.
Tek Kongresi i Manastirit?
Po.”
“Ku keni studiuar në cilin objekt?
Tek Sindikata tek SSM”.
“Në cilin objekt i keni mbaruar Studimet?
Në objektin këtu tek sindikata që është”.
Është premtuar shpesh ndërtimi i objektit të Universitetit “Nënë Terezë”, e se ku kanë ngelur punët i pyetem edhe ata që rrinin nën hije.
“Zotëri Ahmeti, kur do të kemi objekt për universitetin “Nënë Terezë”?
“Objekt? Po me siguri është në proces, do të shohim se kur do të mbyllet i tërë procesi, kryesorja universiteti do të jetë, e dini veç më në hapësirat e Kazermës Ilinden”, tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Zëvendësministri i Arsimit Arafat Shabani, thotë se proceset nuk varen prej tyre për ndërtimin e objektit të Universitetit.
Gjenerata e ardhshme, a do të mund të studiojë në objekt të ri?
“Janë procese që nuk varen prej nesh”, tha Shabani.
Sipas traditës studentët që kryejnë studimet i hedhin kapelat para universitetit ku studiojnë, por studentët e universitetit “Nënë Terezë” në mungesë të objektit këtë traditë e bënë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.