Importi i mbeturinave, ASH-AAA kundërshtojnë ligjin
Deputetët e koalicionit ASH-AAA nuk do ta mbështesin ligjin për menaxhimin e mbeturinave, që është dërguar në Kuvend. Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari mban qëndrimin e njëjtë me një pjesë të OJQ-ve, që thonë se me ligj do të mundësohet importi i mbeturinave, si lëndë nga shtete të tjera.
As që diskutohet nëse në Maqedoni duhet të importohet mbeturinë. Ju e dini që, Maqedonia vetvetiu është deponi ilegale. Fillimisht, duhet të ketë zgjidhje për deponitë lokale dhe rajonale që janë gjithandej në vendin tonë dhe duhet të gjendet zgjidhje e jo të importohet. Grupi jonë i deputetëve do të jetë kundër kësaj – deklaroi Arben Taravari- kryetar i Gostivarit.
Për ndërtimin e tre deponive rajonale, Taravari shprehet se deponia në Rusino duhet të dislokohet ose në Zhelinë ose në Jegunovcë. Por, nëse bëhet sipas standardeve evropiane, mund të mbetet edhe në Rusino. Dy të tjerat planifikohet të ndërtohen në rajonin e Pellagonisë dhe Sveti Nikollës ku do të trajtohen mbeturinat e pjesës verilindore të vendit. Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski sot tha se fabrika për përpunimin e mbeturinave do të ndërtohet me mbështetjen e BE-së.
Në pjesën urbane të Kumanovës kemi katër vende serioze që i pastrojmë të paktën dy herë në vit, gjelbërojmë dhe sërish e kemi pamjen e njëjtë. Sipas meje, problemi kryesor është mungesa e kapacitetit të komunave në mbikëqyrjen inspektuese – u shpreh Maksim Dimitrievski- kryetar i Kumanovës.
Për mbeturinat, u diskutua edhe në Forumin për menaxhimin me mbeturina të forta dhe deponi. Në debat u tha se në vend, ka trefish më shumë deponi ilegale sesa qytete dhe fshatra gjegjësisht mbi 1000 të tilla.