Maqedoni

100 ushtarë nga Maqedonia e Veriut do të shkojnë në Slloveni për të ndihmuar nga vërshimet

Qendra për Menaxhimin me Kriza bëri të ditur se si pikë kontakti e Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes mekanizmit të NATO-s për ndihmë gjatë katastrofave, gjegjësisht përmes Qendrës Koordinative Euroatlantike për Reagim ndaj Katastrofave, ka mbërritur kërkesë për ndihmë të Sllovenisë.

“Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska pas konsultimit me Shtatmadhorinë e Armatës, njoftoi se Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e gatshme të dërgojë 100 pjesëtarë të armatës, të cilët pas miratimit të Vendimit të Qeverisë dhe dhënies së pëlqimit të Presidentit të Republikës e Maqedonisë së Veriut dhe komandant i përgjithshëm i Armatës, Stevo Pendarovski, do të jenë gati që të nisen, ndërsa nëse dhe sa saktësisht pjesëtarë të armatës do të shkojnë në Slloveni do të vendoset në koordinim me Qeverinë e Republikës së Sllovenisë, e cila duhet të prononcohet nëse e pranon ndihmën e ofruar dhe në çfarë numri”, informojnë nga QMK-ja.

Nga Ministria e Mbrojtjes konfirmuan se në Slloveni mund të dërgohen 100 pjesëtarë të armatë, por se vendimin përfundimtar do ta marrë Qeveria.

Në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si pikë kontakti me BE-në, përmes Qendrës Koordinuese për Reagim ndaj Situatave Emergjente të BE-së, ka mbërritur kërkesë për ndihmë Sllovenisë me makineri të rënda, gjegjësisht, buldozerë, ekskavatorë etj.

Drejtori i DMSH, Bekim Maksuti e konfirmoi kërkesën e Sllovenisë përmes Qendrës Koordinuese për Reagim ndaj Situatave Emergjente të BE-së e dhe tha se do të veprohet sipas vendimit të instancave më të larta të shtetit.