Kosovë

​Osmani: Shprehja “bukë, kripë e zemër” me Darkën e Lamës merr kuptim të thellë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka organizuar sonte festën tradicionale “Darka e Lamës, me ç’rast tha se në këtë darkë shprehja “bukë, kripë e zemër” merr kuptim më të thellë ngaqë ndahen të mirat e bereqeti me miqtë e me dashamirët.

Në këtë darkë morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, ish-presidentët Fatmir Sejdiu e Atifete Jahjaga, ambasadorë të shteteve të akredituara në Kosovë, përfaqësues të FSK-së e të Policisë së Kosovës, por nuk u pa askush nga përfaqësuesit e partive opozitare.

Kjo darkë u organizua së bashku me prodhuesit vendorë, e për këta të fundit Osmani tha se po e tregojnë potencialin dhe imazhin e Kosovës.

Në këtë darkë, Osmani tha se një meny e veçantë është përgatitur për të nderuar edhe kuzhinierin Përparim Babalija, i cili ka ndërruar jetë muaj më parë.

“Shprehja e njohur shqiptare ‘bukë, kripë e zemër’ sot në këtë darkë merr kuptim të thellë, ngase në këtë sofër prodhuesit tanë vendorë kanë vëmë jo vetëm ushqimet tona tradicionale, por edhe zemrat e tyre nëpërmjet dashurisë për gatimin, si dhe dëshirës për të ndarë të mirat e bereqetit me miq e me dashamirë, ashtu siç e thotë edhe tradita jonë. Sonte, teksa jemi mbledhur rreth kësaj sofre të begatë, dua të kujtoj një njeri, i cili sa ishte gjallë gatoi si askush tjetër dhe ju fal bukës për dashurinë që sjellë mes njerëzve. Sonte kujtojmë kuzhinierin tonë Përparim Babalija, i cili kaloi në amshim pak muaj më parë”, tha Osmani.

Presidentja Osmani u shpreh se edhe kjo darkë e sivjetme organizohet në rrethana të rënduara për shkak të pandemisë, për çka tha se mendjen e kanë te të gjithë familjarët që humbën më të dashurit e tyre.

Osmani tha se Darka e Lamës shquhet si nata kur shprehen falënderimet për të mirat e natyrës, por që sot tha se dëshiron të shpreh falënderimet për të mirat e njerëzve të Kosovës.

“Edhe darka e sivjetme organizohet në rrethana të renduara për shkak të pandemisë, sonte të mbledhur përreth sofrës mendjen e kemi te të gjitha familjet kosovare që kanë humbur më të dashurit e tyre si rezultat i pandemisë. Sot jo vetëm tryezat e tyre po edhe zemrat e tyre e të gjithë neve ndihen më te zbrazëta në mungesë të më të dashurve… Në këtë periudhë të rëndë ishin mantel-bardhët ata që e udhëhoqën betejën me pandeminë, prandaj edhe sonte shprehim gjithë falënderimin tonë te thellë për punën e tyre vetëmohuese. Në këto kohëra ishte po ashtu vështirë të organizohej sistemi arsimor, prandaj respekt maksimal për të gjithë ata mësues, arsimtarë e profesorë që e bënë të pamundurën që arsimi të vazhdojë edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme. E sado e rëndë që ishte kjo periudhë motivim e forcën na e kthyen rinia jonë e mrekullueshme ata që punuan shumë e me shumë zell, ata të cilët shkëlqyen nëpër Kosovë e nëpër botë në fusha të ndryshme”, tha Osmani.

E para e shtetit, falënderimin e ka vazhduar për ish-presidentin Ibrahim Rugova, për të cilin tha se në vitin 2002 e riktheu traditën e mirë të gatimit dhe shërbimit të bukës nëpërmjet kësaj feste.

Osmani tha se ai e kishte quajtur atë festë e falënderimeve të ngjashme me festën e falënderimeve në SHBA. Për këtë, Osmani tha se i janë mirënjohës për këtë thesar trashëgimie të cilin e ka rikthyer në traditën shqiptare.

Panxha: Djathi i Sharrit të regjistrohet si brend i Kosovës

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha se duhet të këtë përkushtim më të madh që mikpritja shqiptare të prezantohet nëpër botë dhe të njihet botërisht ashtu siç njihet besa e shqiptarit.