𝐄𝐝𝐢 𝐑𝐚𝐦𝐚 𝐤𝐚 𝐥𝐞̈𝐧𝐞̈ 𝐩𝐞𝐫𝐥𝐚𝐭 𝐭𝐮𝐫𝐢𝐬𝐭𝐢𝐤𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐓𝐫𝐨𝐩𝐨𝐣𝐞̈𝐬 𝐩𝐚 𝐫𝐫𝐮𝐠𝐞̈ 𝐬𝐞𝐩𝐬𝐞 𝐧𝐮𝐤 𝐤𝐚 𝐦𝐮𝐧𝐝𝐞̈𝐬𝐢 𝐭𝐞̈ 𝐩𝐚𝐬𝐭𝐫𝐨𝐣𝐞̈ 𝐩𝐚𝐫𝐚𝐭𝐞̈ 𝐦𝐞 𝐫𝐞𝐬𝐨𝐫𝐭𝐞
Presidenti i Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta në vijim të turit të tij në mbarë vendin, u ndal në Bashkinë e Tropojës, ku së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, z.Tedi Blushi, Sekretarin Digjital, z.Sokol Ponari dhe këshilltarin bashkiak, z.Bes Gjonaj zhvilluan një takim me strukturat drejtuese të Partisë së Lirisë.
Duke i falenderuar për angazhimin e palodhur për hapjen dhe zgjerimin e pandalshëm të PL, Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë për të vijuar takimet me çdo tropojan dhe në çdo familje, derë më derë, për t’i njohur me 5 Prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus.
“Ne kemi një program konkret që ndalon shpopullimin dramatik të Tropojës dhe sjell zhvillim e mirëqenie për të gjithë banorët e kësaj treve patriotike dhe të mrekullueshme, me një potencial të jashtëzakonshëm për turizmin dhe agroturizmin”, theksoi Presidenti Meta.
“Bujqësia dhe blegtoria janë prioritet kryesor për Partinë e Lirisë. Do të mbështesim me 10 mijë euro grant për krijimin e një ferme të re dhe përjashtim nga taksat për 5 vite.
Ne angazhohemi për mbështetjen me pagesa direkte të fermerëve, 200 euro për çdo kokë lopë, nga 80 euro që është aktualisht dhe kufiri i financimit do të ulet në 3 krerë nga 10 krerë që është aktualisht. Për çdo kokë dele apo dhi ne do të japim një pagesë prej 60 euro për kokë për çdo fermë blegtorale me 30 krerë të imta, nga 12 euro për kokë për fermat me mbi 100 krerë që është aktualisht.
Në këtë mënyrë, do të rritet interesi për të investuar gjithnjë edhe më shumë në prodhimin vendas, aq shumë të kërkuar, me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së të gjithë fermerëve tropojanë dhe shqiptarë”, theksoi Presidenti Meta.
Gjithashtu ai vuri në dukje se Qeveria e ka braktisur qëllimisht Tropojën dhe në vend të mbështesë zhvillimin e turizmit në këtë bashki, është e fokusuar në vjedhjen dhe abuzimin me taksat, duke vazhduar pagesat për inceneratorët që nuk ekzistojnë dhe ndërtimin e rrugëve të florinjta me kosto marramendëse.
“Gjendja skandaloze e rrugës Laç-Vau i Dejës për në Koman, rruga e tmerrshme drejt Dobërdolit, po kështu drejt Currajt të Epërm, drejt Geghysenit e të tjera si këto janë një pengesë dhe kosto e madhe për zhvillimin e vrullshëm të turizmit në këtë parajsë të Alpeve tona. Denoncoj dhe lënien në mëshirë të fatit të rrugës që të çon në tyrben e Shkëlzenit, që është hapur vetëm falë kontributeve të qytetarëve dhe Shoqatës “Shkëlzeni dhe dritat e Tij”.
Vetëm bakshishi prej 50 milion euro që Edi Rama mori nga shtesa fiktive e kostos së tunelit të Llogarasë do të mjaftonte për të bërë të gjitha rrugët e Tropojës.
Edi Rama e ka braktisur Tropojën sepse nuk ka mundësi për resorte për pastrimin e parave të tij dhe bandës së drejton.
Tropoja meriton të jetë një destinacion turistik i aksesueshëm, por fokusi i Edi Ramës nuk jeni ju, por vetëm korrupsioni skizofrenik”, – theksoi Meta.
Presidenti i Partisë së Lirisë kërkoi nga strukturat drejtuese vendore të angazhohen maksimalisht për të vënë në jetë 5 Prioritetet dhe për të sjellë ndryshimin e shumëpritur për Tropojën dhe të gjithë Shqipërinë.