July 22, 2024
Maqedoni

Zona ekonomike në Strugë thuajse e zbrazët, vetëm dy fabrika në një dekadë

Infrastruktura e keqe, rruga e papërfunduar dhe e pasigurt Ohër-Kërçovë, e cila ka tetë vjet që është në ndërtim e sipër, dhe aeroporti që s’është funksional në tërësi, janë arsyeja kryesore që edhe pas gati 10 vitesh ndërtimi, zona zhvillimore teknologjike industriale në Strugë është boshe. Nga njoftimet pompoze për një bum investimesh në rajon, si nga qeveria e mëparshme ashtu edhe nga ajo aktuale, kanë mbetur vetëm dy fabrika, njëra prej të cilave ka nisur punën së fundmi. Ekspertët besojnë se është e nevojshme të përmirësohet cilësia e mjedisit në të cilin do të punonin kompanitë.

“Këtu llogaris në ndërtimin e infrastrukturës moderne dhe cilësore të trafikut dhe energjetikës. Mbetëm disi një zorrë qorre në këtë pjesë, në vend që të lidheshim me trafik me detin Adriatik, me Durrësin. Këtu kemi një aeroport që mund të përdoret, ndërsa për një zgjidhje autostrade nuk bëhet fjalë. Por, edhe infrastruktura energjetike gjithashtu ndikon nëse keni furnizim me energji më të lirë”, deklaroi Jovanka Damoska Sekuloska-profesoreshë e ekonomisë.

Gazsjellësi është ende shumë larg Ohrit dhe Strugës, dhe as autostrada nuk është afër përfundimit. Biznesmenët besojnë se shteti nuk mund të planifikojë rritje ekonomike pa investime në infrastrukturë.

“Që nga pavarësia, kemi ndërtuar më së paku rrugë dhe autostrada nga të gjitha ish-republikat jugosllave. Njerëzit që janë dhe kanë qenë në pushtet nuk kanë asnjë interes, për ta vënë në funksion këtë aeroport të ndërtuar me të gjitha standardet. Kushdo që dëshiron të investojë këtu, fillimisht do të vijë këtu për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo”, u shpreh Mevmed Xhemailoski-biznesmen.

Probleme shtesë për disa fabrika në këtë zonë ekonomike janë edhe pengesat administrative me të cilat përballen investitorët, për të cilat biznesmenët thonë se fajin e ka personeli joadekuat në administratën lokale. Krahas kësaj, rajoni vuan nga mungesa e fuqisë punëtore bazë, dhe për staf profesional dhe cilësor, problemi është edhe më i madh. /Alsat.mk