Zëvendësministri Iseni në Strugë, u hapën zyra të reja të policisë
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni, sot në Strugë mori pjesë në hapjen e objekteve të reja të shërbimeve administrative të policisë së Strugës. Lokalet e reja janë bartur në objektin e vjetër të komunës së Strugës në rrugën “Marshal Tito”.
“Përmes bashkëpunimit të ndërsjellë me komunën e Strugës dhe kryetarin e komunës, është bërë e mundur zhvendosja e objekteve të Drejtorisë së Shërbimeve Administrative dhe Departamentit të Armëve në Strugë në objektin e vjetër të komunës. Në atë drejtim, Ministria e Punëve të Brendshme bëri renovimin e katit përdhes për të mundësuar kushte më të mira për punonjësit dhe qytetarët dhe në drejtim të funksionimit normal të shërbimeve. Me këtë pritet që qytetarët e Strugës dhe të rajonit në të ardhmen t’i ushtrojnë në mënyrë më dinjitoze të drejtat dhe obligimet e tyre nga kjo fushë. MPB është e vendosur që tërësisht ta ndryshojë pamjen dhe mënyrën e funksionimit të shërbimeve administrative në mbarë Maqedoninë, sepse ato janë para së gjithash fytyra e shtetit”, theksoi zëvendësministri Iseni, transmeton Lideri.mk.
Gjatë kësaj periudhe, Ministria e Punëve të Brendshme hapi disa zyra të reja të shërbimeve administrative në disa qarqe në të gjithë vendin, me qëllim që qytetarët të kenë akses më të shpejtë dhe më të mirë në shërbimet që u nevojiten./Lideri